DAVID WAGNER
Për të mirën e ekipit, largohet
14 January, 2019 @20:49
Trajneri që bëri histori me klubin e Huddersfield Townit, David Wagner, në bisedë miqësore me drejtuesit e klubit është larguar nga detyra.
Gjermani 47 vjeç mori drejtimin e Terriersëve në nëntor të vitit 2015 dhe i mundësoi atyre Premier Ligën për herë të parë në histori në stinorin 2016/17.
Huddersfield ka qenë favorit për rënie në stinorin e kaluar nga Premier Liga, por Wagner i mbajti ata në ligë, duke befasuar shumëkë.
Këtë stinor ekipi ka tubuar vetëm 11 pikë nga 22 ndeshje dhe është 8 pikë larg zonës për shpëtim.
Kryetari i klubit ka pranuar publikisht se nuk ka dashur që Wagner të largohet nga detyra përkundër rezultateve të ekipit.
Mirëpo, gjermani ka thënë se për të mirën e klubit është koha që ai të largohet dhe të bëhet një ndryshim, që ndoshta mund të shpëtojë skuadrën nga rënia.
“Nën menaxhimin e Davidit ne e kemi ngritur këtë klub në pozita ku nuk ka qenë në 50 vitet e fundit, ndërsa kemi kujtime që do të zgjasin përgjithmonë,” ka thënë Dean Hoyle kryetar.
“Ju thashë, as që kam menduar atë ta largojë nga detyra. Por, Davidi si njeri i jashtëzakonshëm që është, erdhi dhe na tha se dëshiron të largohet,” ka shtuar ndër të tjera ai.
“E di termin ‘marrëveshje e dyanshme’ që përdoret për shkarkimin e trajnerëve në futbollin profesional, por ky vendim me të vërtetë është me marrëveshje. S’besoj që mund ta falenderoj Davidin mjaftueshëm për atë që ka arritur me klubin. Bashkë me familjen e tij, ai gjithmonë do të jetë shok i çdokujt në familjen e Huddersfiel Townit,” ka përfunduar Hoyle.