COPA DEL REY
Përkundër ‘dridhjeve’ Barcelona në finale!
7 February, 2017 @22:56
3 kartonë të kuq, një gol i anuluar padrejtësisht, një penallti e shpërdoruar dhe Barca në finale!
Një super gjysmëfinale e Copa Del Rey u zhvillua sonte në ‘Camp Nou’, me Barcelonën dhe Atleticon që dhuruan emocione deri në sekondat e fundit, e në fundit kualifikimit në finale iu gëzua Barcelona, falë avantazhit 1-2 nga ndeshja e parë në ‘Vicente Calderon’.
Edhe pse Atletico e filloi mirë takimin duke rrezikuar me disa gjysmëraste, Barcelona golin e epërsisë e shënoi në fundin e pjesës së parë, kur Luis Suarez shënoi për 1-0 pas një topi të kthyer nga një goditje e Leo Messit, gol i cili u mendua se do të ishte i parikuperueshëm për mysafirët nga Madridi.
Mirëpo, pjesa e dytë ishte komplet ndryshe nga e para sa i përket emocioneve. Një karton i kuq i Sergio Robertos në fillim të pjesës së dytë, i dha zemër Atleticos, të cilët sulmuan me të gjitha forcat për ta gjetur golin e barazimit. Fillimisht, djemve të Simeones iu anulua padrejtësisht një gol i shënuar nga Griezmann, e më pas Gameiro e shpërdoroi një penallti, për t’i ‘zbutur’ edhe më tej gjasat për kualifikim. Për më tepër, negativisht ndikoi edhe përjashtimi i belgut Carrasco, por as kjo nuk ia humbi motivin madrilenëve.
Atletico e gjeti golin e barazimit në minutën e 83’ pikërisht me francezin Gameiro, mirëpo goli i fitores që do ta dërgonte ndeshjen në shtesë nuk erdhi në asnjë moment, përkundër sulmeve deri në sekondat e fundit, të shoqëruara me plot tensione si dhe me përjashtimin e uruguajanit Luis Suarez. Kur jemi te ky i fundit, uruguajani tashmë ka 107 gola në 127 paraqitje për Barcelonën, një tregues i saktë për formën fenomenale që po e kalon ky lojtar.
Në finale, Barcelona e pret fituesin e takimit mes Alavesit e Celta Vigos, takim i cili luhet nesër mbrëma. Dueli i parë mes Celtas e Alavesit javën e kaluar ka përfunduar 0-0