Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FERONIKELI 1-2 TREPÇA '89

Trepça’89 del nga zona e rrezikshme, duke mposhtur ish-kampionin

Trepça’89 del nga zona e rrezikshme, duke mposhtur ish-kampionin


22 July, 2020 @19:00

Trepça’89 për herë të parë pas rifillimit të stinorit ka arritur të dalë nga zona e rrezikshme e Superligës, duke e mposhtur sot Feronikelin 1-2 [Van Dave Harmon 36 - Lassine Traore 57, Robert Rrahmani 82] si mysafir.

Përkundër se me pikë të njëjta me Drenicën, për shkak të golaverazhit dhe dueleve të ndërsjella më të mira, ‘89-shi i Shpëtim Idrizit ka marrë pozitën e tetë, të shpëtimit, pas fitores së sotme, që erdhi në pjesë të dytë.

Në pjesë të parë Feronikeli i Afrim Tovërlanit ishte në epërsi. Vendasit avancuan pas disa rasteve të krijuara nga Mendurim Hoti, ndërsa ka qenë Van Dave Harmon që shënoi me kokë pas asistimit të Lapidar Lladrovcit (36’) për 1-0.

Më pas, Mevlan Zeka shënoi edhe njëherë për vendasit, por goli u anulua nga referi i ndeshjes me pretekst të ofsajdit.

TABELA AKTUALE

E në pjesë të dytë shfaqje krejt tjetër e ekipit mitrovicas. Shpejt, sulme nga të gjitha anët, derisa Muharrem Jashari asiston për Lassine Traoren që barazon (57’) 1-1.

Tentimi i radhës për mitrovicasit vjen nga i riu Milot Avdyli, pa sukses. Feronikeli këndellet dhe tenton me Albert Dabiqajn, por ‘89-shi shpëton.

Kur ndeshja hyn në 10 minutëshin e fundit të kohës së rregullt, Milot Avdyli asiston për Robert Rrahmanin, që shënon për fitore (82’) 1-2.

Fitorja çon Trepçën’89 në pozitë të tetë të klasifikimit duke e rrëzuar Drenicën në të nëntën.

Në xhiron e fundit të stinorit, dilema se cili do të jetë ekipi i fundit që do të bie nga Superliga do të qartësohet.

Trepça’89 pret Prishtinën në Riza Lushta, ndërsa Drenica pret Dukagjinin e rënë në Bajram Aliu. Rivali i sotëm i ‘89-shit Feronikeli, i shkon Ferizajit të rënë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga