LEICESTER - SEVILLA
Përmbysje në ‘King Power’, Leicesteri shkruan historinë
14 March, 2017 @22:45
Në takimin e luajtur në ‘King Power Stadium’, kampioni në fuqi i Anglisë arriti ta përmbys disavantazhin e ndeshjes së parë, për ta arritur kështu një kualifikim historik në çerekfinale, kualifikim ky që nuk u prit pothuajse nga askush, marrë parasysh përvojën e Sevillës në Evropë si dhe shkarkimin e Ranierit pas ndeshjes së parë që u humb në Spanjë para 2 javëve.
Pjesa e parë kaloi me lojë të fortë fizike nga të dyja skuadrat dhe pa shumë raste konkrete për shënim. Leicesteri, që i nevojitej goli pasi që në fushë hyri me disavantazhin 2-1 nga ndeshja e parë në Andaluzi, epërsinë e gjeti me kapitenin Wes Morgan në minutën e 27’ të takimit. Morgan, që u bë xhamajkani i parë që shënon gol në Champions League, u gjet më së miri në zonë pas një krosimi të Riyad Mahrezit nga goditja e dënimit, ndërsa gola të tjerë në pjesën e parë nuk pati, përkundër gjysëm-tentimeve në të dy cepat e fushës.
Në pjesën e dytë gjithçka ishte më interesante. Mysafirët nga Andaluzia filluan sulmet për golin e barazimit, ndërsa rasti i parë erdhi nga një goditje nga distanca, moment në të cilin Sevilla e goditi shtyllën, duke dhënë shenja që nuk e kishte në plan të dorëzohej lehtë. Mirëpo ndryshe mendoi Albrighton, i cili e gjeti golin e dytë për skuadrën e tij me një goditje me të majtën dhe i dha Leicesterit epërsinë 2-0, epërsi e cila u menaxhua deri në fund dhe Leicesteri e siguroi çerekfinalen përkundër tentimeve të spanjollëve për barazim.
Duhet përmendur që hero i këtij takimi ashtu si në ndeshjen e parë në Spanjë ishte Kasper Schmeichel, i cili e priti penalltinë e Nzonzit dhe nuk lejoi që ndeshja të shkonte në vazhdime. Pak minuta para penalltisë, Samir Nasri u përjashtua nga loja, pasi ra ‘pre’ e provokimit të Jamie Vardyt dhe kjo e lehtësoi edhe më tepër punën për kampionin anglez, skuadër kjo që sonte e arriti pikën më të lartë të arritjeve që nga themelimi i klubit.
Me Cityn që ende nuk e ka kryer ndeshjen e vet, Leicesteri momentalisht është skuadra e vetme angleze që ka arritur çerekfinalen e sivjetshme.