MOURINHO
Përvoja në Old Trafford
5 March, 2013 @16:09
Sonte do të jetë ndeshja e shtatë për Jose Mourinhon që do ta drejtojë një skuadër në stadiumin Old Trafford të Manchester Unitedit. Trajneri i Real Madridit më parë në këtë fushë ka zbritur edhe me skuadrat Porto, Chelsea dhe Inter.
9 mars 2004/ Manchester United - Porto 1-1
Jose Mourinho në karrierën e tij si trajner për herë të parë në Old Trafford ka qenë më 9 mars të vitit 2004. Atë botë përballja ishte ndërmjet Portos dhe Manchester Unitedit në ndeshjen kthyese të Ligës së Kampionëve, ku e para kishte përfunduar 2-1 në të mirë të ekipit portugez.
Në fund ekipi i Mourinhos megjithëse ishte në disavantazh në të shumtën e kohës, në minutën e 90’ me golin e Costinhas arriti ta eliminojë Manchester Unitedin dhe e shkruajti emrin në rundin e arshëm të Ligës së Kampionëve. Më pas Porto u shpall edhe kampion i kësaj gare për edicionin 2003/04.
26 janar 2005/ Manchester United - Chelsea 1-2
Ndeshja e dytë e Mourinhos në Old Trafford ishte në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Ligës me skuadrën e tij, Chelsea. Pasi ndeshja e parë kishte përfunduar me rezultat 0-0 në Londër, në revash me golat e Frank Lampardit dhe të Damien Duff-it, Chelsea arriti të kualifikohet në finale të kësaj gare, ku më pas edhe u shpall fitues duke e mposhtur Liverpoolin me rezultat 3-2 pas vazhdimeve.
10 maj 2005/ Manchester United - Chelsea 1-3
Pasi doli dy herë fitimtar nga stadiumi i Old Traffordit në garat eliminuese, kësaj radhe Mourinho e drejtoi ekipin e tij Chelsea në kuadër të xhiros 33 në Premier League. Portugezi në këtë ndeshje doli me formacion 4-5-1 dhe në fund arriti të fitoj 3 pikë falë golave të Tiagos, Eidur Gudjohnsenit dhe të Ashley Cole-it.
6 nëntor 2005/ Manchester United - Chelsea 1-0
Më 6 nëntor të vitit 2005 tekniku portugez për herë të parë u nda nga Old Traffordi pa festuar. Futbollisti i tij i tanishëm, Cristiano Ronaldo, në këtë ndeshje krosoi për të shënuar më pas Darren Fletcher me kokë.
26 nëntor 2006/ Manchester United - Chelsea 1-1
Ishte ndeshja e fundit e Mourinhos në Old Trafford nën drejtimin e Chelseat. Portugezi në këtë ndeshje, e cila ishte në kuadër të javës 14 në Premier League, i ndau pikët me homologun e tij, Alex Ferguson, pasi përfundoi takimi me rezultat 1-1. Golat në këtë përballje u shënuan nga Louis Saha për Manchesterin dhe Ricardo Carvalho për Chelsean.
11 mars 2009/ Manchester United - Inter 2-0
Ndeshja e fundit e Mourinhos në ‘Teatrin e Ëndërrave’ është njëkohësisht edhe humbja më e thellë e përjetuar në këtë stadium. Në kuadër të rundit të dytë të Ligës së Kampionëve, Mou u eliminua nga kjo garë duke u mposhtur me rezultat 2-0, pasi ndeshja e parë kishte përfunduar 0-0 në Guiseppe Meazza. Ishte minuta e 4’ kur Nemanja Vidic shënoi me kokë pas krosimit të Ryan Giggsit, ndërsa rezultatin e dyfishoi Cristiano Ronaldo në minutën 49’, për ta përfunduar herët aventurën e asaj kohë në Champions League për Mourinhon.
5 mars 2013/ Manchester United - Real Madrid
Dhe sot… Pas rreth 4 viteve, Mourinho përsëri do ta shkel barin e stadiumit Old Trafford. Portugezi do të kërkojë një rezultat të favorshëm në këtë ndeshje pasi që ndeshja e parë në Santiago Bernabeu përfundoi me rezultat të barabartë 1-1. Forma e mirë e ekipit të tij në takimet e fundit, duke i përfshi dy fitoret ndaj Barcelonës, mund të jenë një shtytës për rezultat pozitiv, por në të njëjtën kohë edhe Manchesteri i Alex Fergusonit është në formë të mirë dhe me siguri që nuk do të lëshojë pe aq lehtë në këtë përballje.