ANALIZË
Pjekuria
Shkruan: LUAN MORINA
12 October, 2018 @11:56
Me fillimin e pjesës së dytë, maltezët modifikuan paksa formacionin që të bënin presion mbi Kryeziun dhe Shalën duke shtyrë topin të qarkullonte më shumë në vijën e fundit. Si pasojë, pa kaluar shumë kohë pësuam golin e barazimit, i cili vë në pah një dobësi të kombëtares tonë – ende nuk mbrohemi shkëlqyeshëm.
KRAHASIMI ME VITET E KALUARA
Për dallim prej dy vite më parë kur kishim nisur garat ndërkombëtare, mbrojtja jonë është e stabilizuar, e ndryshuar në tërësi, dhe sigurisht që ndihmohet pasi si ekip jemi të adaptuar me një formacion tek i cili ndryshimet e vetme pothuajse ndodhin në katërshen ofensive.
Shumë gola pranonim nga paaftësia për të vendosur ofsajdin, për të mbuluar krahët, dhe për t’u mbrojtur nga topat e ndërprerë. Derisa që të tria këto janë shumë më mirë tashti, kjo e fundit ishte arsyeja pse pësuam golin. Megjithatë, ishte vetëm një gabim i cili nuk duhet të merret shumë seriozisht gjatë kësaj vjeshte.
Por, shpresojmë, në edicionin e ardhshëm të kemi punë me kombëtare më cilësore, e ndërkohë do të kemi edhe kualifikimet për Euro2020 vitin e ardhshëm. Dhe në ato përballje duhet të jemi shumë më të përkryer në tri pjesët që i përmenda më lartë.
PANIKU
Paniku pas barazimit ishte i dukshëm. Por, një shenjë pjekurie tregoi aftësia jonë për t’u kthyer dhe fituar ndeshjen. Kjo, pjekuria psikike, është fitore më e madhe se sa tri pikët. Sigurisht që nuk është një mision i kryer, dhe duhet të punohet edhe më tej në këtë aspekt. Në veçanti duhet të punohet në vet-kontrollimin dhe gjakftohtësinë, pasi humbja e nervave në fund, pranë një rezultati 3-1 është shumë e panevojshme.
Çfarë do të ndodhte me nervat e lojtarëve sikur të ishim baras ose duke humbur në ato çaste.
Kartoni i Kryeziut ishte i panevojshëm. Ishte në një qejf sikur Shala kundër Azerbajxhanit – lëkundje e gjakftohtësisë nga presioni, jo vetëm fizik, i maltezëve. Mifsud mori atë që meritoi në fund. Ne humbëm Kryeziun për ndeshjen tjetër, goxha të rëndësishme. Sigurisht që Halimi mund të mbulojë atë pozitë, por duhet të punojmë në këtë drejtim.
ÇELËSI
Valoni mbrëmë ishte në një pozitë çelësi për fazën ofensive. Me kontributin që mund të ofrojë edhe në pjesën defensive, për Valonin kjo mund të jetë pozita e përkryer dhe vërehet kontributi i tij me përmirësimin e krahëve për dallim me vitet e kaluara. Vërehej ende ndikimi i lëndimit, por me një Valon në formën më të mirë, do të kemi një sulm të mahnitshëm besoj.
Zhegrova pati shumë raste, por pak fat. Krahasuar me moshën, talenti është i jashtëzakonshëm. Me kalimin e kohës besoj që do t’ia dalë të zhvillojë edhe lojën ekipore. Zeneli ishte, si zakonisht, i shkëlqyeshëm. Por, lojtari i ndeshjes mbetet Benjamin Kololli. Dhe kjo ishte e pritshme krahasuar me formën më të mirë jetësore që po kalon javëve të fundit. Del të jetë një krahë mbrojtjeje i përkryer falë aftësive për të luajtur me dy shputat. Fjalët janë boshe për të përshkruar lojën e tij mbrëmë!
VETËM FILLIMI…
Një shenjë tjetër e pjekurisë ishte edhe goli i Muriqit. Nuk e kishte natën e tij, por kësaj radhe shpëtuam! Edhe në këtë rast më duhet të shkojë përpara, në raste eventuale kur do të ndeshemi me ekipe kundër të cilave na shfaqet vetëm një shans. Së paku dy shanse të pastra të humbura ishin mbrëmë. Goli, megjithatë, do t’i ndihmoj në aspektin psikik. Dhe ky është aspekti që më intereson më shumë, sepse fiziku arrihet dhe mbahet më lehtë.
Një fitore e mirë, një ekip që po rritet, drejt Ligës C me gjasë. Duhet të fitojmë tek Ishujt Faro, sidomos pas fitores së Azerbajxhanit. Ky është vetëm fillimi i kësaj gjenerate!