KOSOVA - MALTA
Super Kosova, përforcohet kreu!
11 October, 2018 @22:35
Në ballafaqimin e tretë në kuadër të Ligës së Kombeve, Kosova shënoi fitore me rezultat 3-1 ndaj përfaqësueses së Maltës, për ta përforcuar edhe më tepër kryesimin e grupit.
Për t’u përmendur nga ky takim është fakti që Kosova sonte pati mbi 20 tentime për gol, statistikë që e tregon dominimin tonë të plotë, ndërsa goli i pranuar sonte ishte i pari në 6 takimet e fundit, gjë që e tregon përmirësimin tonë të dukshëm në fazën defansive.
Një vrapim fantastik pas mbrojtjes mysafire të Benjamin Kolollit në minutën e 30’, e shfrytëzoi maksimalisht Valon Berisha, i cili asistoi në mënyrë fantastike, për ta vënë mbrojtësin e majtë ballë për ballë me portierin mysafir, e nga ajo pozitë Kololli nuk gaboi, për t’ia dhënë kështu Kosovës epërsinë fillestare.
Pas golit të shënuar, dominimi i Kosovës në këtë pjesë vazhdoi. Një shtyllë nga Edon Zhegrova e më pas një shpërdorim me portën bosh nga Vedat Muriqi mund ta kishin dërguar Kosovën me epërsi 3 golëshe në pushimin mes pjesëve, mirëpo maltezët ishin me fat dhe pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-0.
LIGA E KOMBEVE - GRUPET DHE ORARI
Me të filluar pjesa e dytë, Kosova u ndëshkua nga rastet e shpërdoruara në pjesën e parë. Maltezët e shfrytëzuan shumë mirë një goditje nga këndi dhe shënuan për 1-1. Menjehërë pas golit të pësuar, Kosova ‘u gjuajt’ në sulm, me fitoren që ishte i vetmi rezultat që duhej arritur.
E shpërdorimin e pashpjegueshëm në pjesën e parë, e rikuperoi pikërisht Vedat Muriqi, i cili shfrytëzoi një rrëmujë në zonën mysafire dhe shënoi për 2-1 në minutën e 68’ të ndeshjes. Edhe pas golit të epërsisë, Kosova nuk u ndal. Një tjetër shtyllë e Zhegrovës, disa pritje fantastike të portierit mysafir e një karton i kuq i Maltës u panë brenda pak minutave, para se Benjamin Kololli të shënonte për 3-1, gol i cili mbylli plotësisht dilemën sa i përket fituesit.
Gjithashtu, duhet përmendur që pak minuta sonte u ndanë edhe për Lirim Kastratin, për të cilin ky ishte debutimi i tij me fanellën e përfaqësueses së Kosovës.
Lajmi i vetëm i keq për Kosovën nga ky takim është ndëshkimi me karton të verdhë i Hekuran Kryeziut, lojtar ky që do të mungojë në ndeshjen që Kosova e luan pas 3 ditëve si mysafire e Ishujve Faroe.
Në takimin tjetër të grupit, Azerbajxhani shënoi fitore ndaj Ishujve Faroe, rezultat i cili tregon edhe më qartë që kundërshtari kryesor i Kosovës në këtë grup është pikërisht Azerbajxhani, ndaj të cilit Kosova luan në shtëpi në ndeshjen e fundit të grupeve.