EL NINO NË HALL
Plotësisht i lirë, kushdo mund ta merr
11 December, 2014 @23:31
Ish sulmuesi i Liverpoolit, Fernando Torres, assesi nuk po gjen formën e tij që e kishte në Anfield Road. Pas viteve të kaluara te Chelsea, pa rendiment, ai u huazua te Milan.
Tashmë me 30 vjet mbi supe, spanjolli që vite më parë ishte rekord transferi i Premier League, kur kaloi nga Liverpool te Chelsea, nuk dëshirohet as nga Milani ku është duke luajtur si huazim nga londinezët.
Rrogë po, gola jo
Milan nuk dëshiron të paguajë më 3.1 milionë funta rrogë vjetore për sulmuesin spanjoll që deri më tani ka shënuar një gol të vetëm për Rossonerët këtë stinor (ndaj Empolit).
Me këtë, Milan, dëshiron të mbyll para kohe kontratën e huazimit dy vjeçar të Torresit dhe ai do të kthehet te Chelsea, ekipi që e ka kartonin e tij.
Te Mourinho, s’ka vend
Mirëpo, Jose Mourinho, nuk mendon ta fusë atë në ekip, pasi që këtë stinor ka nënshkruar me tre sulmues të rinj - të cilëve po u shkon mbarë me Chelsean (Diego Costa, Didier Drogba dhe Loic Remy).
Sipas Daily Mirror, Torres në janar të vitit të ardhshëm do t’i ofrohet si lojtar i lirë cilësdo skuadër nga Premier League që dëshiron ta ketë atë në dispozicion.
Atletico s’e ka në plan
Milan kishte kontaktuar edhe Atletico Madridin, ekipin ku Torres u bë i famshëm, por skuadra kampione aktuale e Spanjës, nuk ka në plan rikthimin e tij.
Rossonerët në janar do të shikojnë mundësin e huazimit të Joel Campbellit të Arsenalit, derisa do të ndajnë rrugët me ‘El Ninon’ e famshëm dikur.
E janari do të tregojë destinacionin e ardhshëm të njeriut që ia solli Spanjës titullin e kampionit të Europës, vite më parë.