LUANI (B)ANALIZON

REUTERS/Arkiv
Premier League ma e mira!
Shkruan: Luan MORINA
21 January, 2016 @21:16
Edhe ky (b)analizim si krejt tjerë nuk ka qëllim të ju ndërroj mendimin. Si gjithë tjerët provon të jap një këndvështrim më të ‘arsyeshëm’ në temën e caktuar që provon të përçon tek lexuesi. Ama, nëse jemi pak racional, edhe mbi të gjitha fansa të futbollit atëherë përgjigja se cila ligë apo në cilin vend luhet futbolli më i mirë në botë është më e qartë se në pyetjet më të thjeshta aritmetike. Ja pse Premier League është më e mira në botë.
Loja fizike
Premier League niset me moton ‘gjak dhe rrufe’ për të dëshmuar mos-kursimin e forcës fizike për të ofruar futbollin më të bukur dhe rezultatin më të mirë për fansat. Duelet fizike në Premier League, loja më e rreptë, e bën futbollin shumë më të bukur se sa në ligat tjera simotra. Brutaliteti është gjithmonë i pranishëm, dhe ka raste kur kalon kufijtë, ama është edhe një nga përbërësit kryesor të kësaj lige, më të mirës në botë.
Pos dueleve fizike, shpejtësia e lëvizjes së topit, rrjedhimisht lojës në përgjithësi ka bërë që shumë lojtarë të mos mund të adaptohen dhe të dështojnë në Premier League. Derisa brutaliteti dhe duelet mund të përfitohen shumë shpejtë, shpejtësia e lojës ju merr kohë të huajve të përshtaten në këtë ligë. Lojtarët që vijnë nga liga me ritëm më të ultë të lojës nuk e kanë të lehtë të adaptohen. Gjithashtu edhe trajnerët që vijnë nga këto liga – italianët kryesisht (pos Ancelottit) dështojnë.
Talentët
Gjashtë skuadrat kryesore në Angli – Manchesterat, Arsenali, Liverpooli, Chelsea, Tottenhami mund të marrin cilindo talent në planet. Kuadrot e këtyre skuadrave nuk kanë nevojë për tu diskutuar, ngjashëm as fuqia e tyre financiare për të blerë lojtarët që dëshirojnë. Në tërë Evropën janë më së shumti pesë skuadra që mund tu kundërvihen këtyre skuadrave në treg – Bayern, Real, Barcelona, PSG, Juventus.
Por, edhe skuadra si West Ham, Newcastle, Southampton, Stoke City, e skuadrat tjera kanë potencial për të blerë talente më të mëdha se sa krejt Evropa (përjashto atë pesëshen lart). Gjithashtu këto skuadra, dhe tjerat, përfshirë edhe skuadra nga Championship kanë përbërje më të mirë se shumica e skuadrave nga kategoritë sipërore në Itali, Spanjë, Gjermani, etj.
Lufta për pozitë dhe festat
Përbërja e pjesës dërrmuese të Premier League u jep aftësi dhe potencial për të prodhuar lojëra dhe futboll të kënaqshëm për sy, dhe të paqartë në rezultat. Për këtë arsye, Stoke City, West Ham, e Leicester City kanë qenë karrem i fortë për më të mirët e ligës. Fitore e rezultate pozitive ndaj skuadrave të mëdha, jo vetëm këtë sezon, vazhdimisht nxjerrin pothuajse të gjitha skuadrat, përfshirë edhe ato që luftojnë për mbijetesë. Nuk ka sezon ku edhe ato skuadrat që bien nga liga të mos kenë nxjerr rezultat pozitiv ndaj katërshes që shkon në Champions në po të njëjtin sezon.
E as lufta në krye nuk është më pak e paqartë. Nuk ka sezone ku liga dominohet nga një apo dy skuadra që gjenden në krye nga fillimi në fund. Ndoshta për këtë ndikon edhe orari i ngjeshur, ama pikërisht orari e bën këtë ligë më të mirën.
Fansat
Dhe nëse nuk dini çfarë të bëni për festa – pyetni anglezët dhe amerikanët. Derisa këta të fundit i kanë të ndarë sportet për festa, për anglezët futbolli është në çdo festë. Ky i pari janar ishte goxha i bajatshëm pa Premier League. Shpresojmë të jetë i fundit.
Fansat kanë kontributin më të madh në bërjen e Premier League më të mirës në botë. Pos që mbushin tribunat, përfshirë edhe në kategorinë e pestë – Vanarama Conference, pasioni dhe dedikimi i tyre për skuadrën lokale, për futbollin në përgjithësi është për tu lakmuar. Nëse nuk dini çfarë është dashuria, shihni fansat pas një goli të shënuar të skuadrës së tyre.
Është një dashuri e disiplinuar. Përkundër që shohin heronjtë e tyre vetëm dy-tri metra larg, nuk thyejnë rregullat për tu futur në fushë, para apo pas ndeshjes. Kjo nuk ndodh nëpër vendet e zhvilluara, ama asnjë nga to nuk kanë ulëset aq afër fushës. Afërsia me terrenin, e bën shikuesin të inkuadruar. E shikuesi e bën futbollin më të bukur. E bën Premier League, ligën më të mirë në botë.
Kundërshtarët…
Janë të shumtë që kundërshtojnë faktin që futbolli në Angli është më i miri në botë. Ata marrin statistika të ndryshme që mbledhin gjashtë skuadrat kryesore të një lige në garat evropiane. Vetëm pjesëmarrja në Premier League për një sezon sjell dyfishin e asaj që fiton kampioni i Ligës së Kampionëve. Europa League është humbje kohe për skuadrat e Premier League.
Ajo pesëshja e Evropës mund të mposht shumicën e skuadrave të Premier League, ama ato vijnë nga katër liga. Dhe një skuadër nuk mund ta bëj një ligë të mirë kur mposht kundërshtarët me dhjetë gola diferencë.
Nuk ka faktor apo elemente për të përcaktuar ligën më të mirë sepse ligat me liga nuk garojnë. Ama, një ligë i shkon për qejfi dikujt më shumë. Mua dhe një pjesë të konsiderueshme më shumë na pëlqen një ndeshje ndërmjet Swansea Cityt dhe Watfordit, se sa ndërmjet Levantes e Las Palmasit, Atalantës e Veronës, Hoffenheimit e Frankfurtit, apo Lorientit e Nices.
Për mua, Premier League është liga më e bukur, më atraktive, më e mira në botë!