E RRALLË
Pretendentët për titull në një hotel!
14 February, 2015 @15:52
Skuadra e Ferronikelit, Kosovës së Vushtrrisë dhe e Besës, po e kryejnë fazën përgatitore në qytetin bregdetar të Shqipërisë, në Durrës.
Mirëpo kjo nuk përfundon me kaq. Përveç se përgatitjet po i kryejnë në qytetin e njëjtë, treshja konkurrente për titull edhe ‘po flejnë bashkë’.
Që të tre skuadrat janë akomoduar në hotelin e njëjtë, Bonita, për shkak të kushteve më të përshtatshme, njofton gazeta e përditshme, Zëri, në numrin e sotëm.
Kjo situatë e pazakontë, i ka vështirësuar punët e trajnerëve të skuadrave përkatëse, të cilët nuk mund t’i praktikojnë në mënyrë të fshehtë taktikat e tyre, derisa nuk mungojnë as ‘ngacmimet’ ndërmjet futbollistët kundërshtarë.
Ferronikeli, Kosova dhe Besa janë tre nga TOP 6 skuadrat e Superligës me bilanc më të mirë të rezultateve gjatë pjesës vjeshtore të këtij stinori.