PRISHTINA - ARBËRIA

Foto: FC Prishtina
Prishtina kryen detyrën, Arbëria vazhdon fundosjen
17 April, 2021 @16:54
Pa shumë probleme, Prishtina ka arritur ta fitojë duelin e sotëm ndaj Arbërisë në kryeqytet.
Ndeshja e luajtur sot në “Fadil Vokrri” përfundoi 2-0 për Prishtinën (Gauthier Mankenda 5’, Besnik Krasniqi (P) 12’).
Gjithçka për Prishtinën u përmbyll pas 15 minutave lojë, me Mankendën (5’) e Krasniqin (12’) që shënuan për epërsi të dyfishtë, e në vazhdim të ndeshjes më dilemë për fituesin nuk pati.
Pas dy golave të parë krejt herët në ndeshje, më gola nuk pati dhe takimi në fund u mbyll me rezultatin përfundimtar 2-0.
Ndër të tjera, duhet përmendur që në minutën e 15’ të ndeshjes, kryetrajneri i Arbërisë, Arbnor Morina, u përjashtua nga loja për shkak të protestave të shumta.
Fitorja në këtë takim bën që Prishtina ta vazhdojë fuqishëm garën për titullin kampion, kurse Arbëria nga Dobraja rrezikon edhe më shumë rënien në Ligën e Parë sezonin tjetër.
Mesjavën që vjen, Prishtina e luan ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Kupës ndaj Llapit në Podujevë, kurse ndeshjen e radhës në ligë e luan në udhëtim te Drita.
Arbëria në xhiron tjetër e pret vendin e fundit në renditje, Besën.