BESA - PRISHTINA

Prishtina mposhtë Besën, ruan kreun
5 May, 2021 @16:56
Me fitore të kryeqytetasve është mbyllur dueli i sotëm mes Besës dhe Prishtinës në Brestovik.
Dy kundërshtarët e moçëm të futbollist kosovar takimin e mbyllën me rezultat 0-3 (Besnik Krasniqi (P) 19’, Oto John 66’ 76’) për Prishtinën.
Liderja e Superligës sot shënoi plot tri herë. Golin e parë e shënoi Besnik Krasniqi nga pika e bardhë në minutën e 19’, e më pas për golin e sigurisë u përkujdes Oto John, i cili në minutën e 66’ shënoi pas shërbimit nga Gauthier Mankenda. Dhjetë minuta më vonë, ishte përsëri Oto John, i cili këtë sezon ka vuajtur shumë prej lëndimeve, ai që shënoi për 0-3, rezultatin përfundimtar të ndeshjes. Asistues në golin e tretë të Prishtinës ishte Gledi Mici.
Kjo fitore bën që Prishtina ta ruajë kreun e klasifikimit kur kanë mbetur edhe 3 xhiro deri në fund, ndërkohë që lajm i mirë për Prishtinën është edhe barazimi i Dritës ndaj Gjilanit sot.
Në anën tjetër, Besa edhe matematikisht e ka siguruar rënien në Ligën e Parë sezonin tjetër.
Xhiron që vijon, skuadra pejane udhëton në Podujevë për të luajtur me Llapin, kurse Prishtina e pret Feroniklin në shtëpi.