NË KRYEQYTET
Prishtina përforcohet me 2 kampionë
3 December, 2014 @15:33
Dyshja e Llamkos Kosovës së Vushtrrisë, Labinot Osmani dhe Bashkim Shala, nga sot janë pjesë e klubit të Prishtinës.
Lajmin pak më parë e kanë zyrtarizuar dyshja e lojtarëve në llogaritë e tyre në rrjete sociale.
Të dalluarit
Sulmuesi i Llamkosit Labinot Osmani, që ka shënuar 8 gola me ekipin e tij në pjesën vjeshtore të kampionatit dhe mesfushori Bashkim Shala (4 gola), gjithashtu një ndër më të dalluarit te ekipi kampion aktual i Kosovës - prej sot janë pjesë e ekipit të udhëhequr nga Bylbyl Sokoli.
Ata kanë nënshkruar marrëveshjet e tyre me ekipin e Prishtinës në zyret e klubit, ku kanë qenë të pranishëm edhe drejtuesit më të lartë të ekipit bardhekaltër.
Ekipi vushtrrias përkundër se është shpallur kampion stinorin e shkuar, nuk i pagoi futbollistët e tij për më se 9 muaj dhe lojtarët të cilët dhanë shumë për këtë klub, tashmë po largohen nga ekipi.
Prishtina ka përfunduar vjeshtën në Superligë në vend të pestë të tabelës me 25 pikë të mbledhura dhe si gjithnjë llogaritet si ekip që synon titullin.