PAS NDESHJES
Ramadani: Fitore jo komode
20 July, 2021 @20:48
Zekirija Ramadani ka qenë i kënaqur me fitoren e Prishtinës të arritur sot ndaj uellsianëve të Connad’s Quay Nomads, mirëpo e ka quajtur atë jo komode.
Prishtina mposhti kundërshtarin uellsian në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës 4-1 dhe me 3 gola epërsi do të udhëtojë në Uells javën që vjen.
“Fitore bindëse që na jep qetësi, nuk na jep komoditet, por na jep qetësi. E pamë që forca e tyre është vetëm në ndërprerje dhe mendoj që sot me të vërtet analiza doli ashtu siç i kishim paramenduar, siç kishim punuar. Arritëm të shënojmë katër gola për çka i uroj futbollistët për fitoren dhe i falënderohem të gjithë të pranishmëve, sidomos Plisave, të cilët na mbështetën gjatë 90-minutave dhe për këtë rezultat të thellë kanë merita edhe ata,” ka thënë shkupjani Ramadani menjëherë pas ndeshjes.
Oto John shënoi dy herë për Prishtinën sonte, ndërsa nga një herë shënuan Leotrim Bekteshi dhe Endrit Krasniqi.