FUSHA KATASTROFALE NË "FADIL VOKRRI", POR KOSOVA FITON!
Rashica vendos, Kosova mposht Izraelin në fushën e rënduar
12 November, 2023 @22:48
Kosova ka arritur të shënojë edhe një fitore, duke e fituar duelin ndaj Izraelit sonte, që ka qenë dueli i tetë për skuadrat në kuadër të Grupit I kualifikues për EURO 2024. Ka qenë Milot Rashica, që me goditjen e tij është treguar vendimtar në këtë ndeshje, pasi që pranoi një top të mirë nga Vedat Muriqi, që kërceu për të zotëruar topin në ajër dhe për t’ia dërguar Rashicës - që shënoi për fitore: Kosova 1-0 Izraeli [Milot Rashica 42’]. Përndryshe, Rashica ka shënuar për herë të parë gol në “Fadil Vokrri” në një ndeshje kualifikuese/zyrtare të Kosovës (pra, jo miqësore).
TABELA AKTUALE, ORARI dhe REZULTATET
Me fitoren 1-0, Kosova ka arritur fitoren e dytë me radhë në grup dhe kjo po ndodh për herë të parë pas gati 4 vitesh e gjysmë. Për herë të parë që prej qershorit të vitit 2019, Kosova ka arritur të shënojë dy fitore radhazi në ndeshje kualifikuese. Pas fitores ndaj Andorrës, Kosova mposht edhe Izraelin (tetor-nëntor, 2023). Hera e fundit ka qenë fitorja ndaj Çekisë e Bullgarisë, (qershor-shtator, 2019).
Gjendja katastrofale e fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” ka bërë lojën jo të mirë për tu parë për publikun, tepër të vështirë për futbollistët në fushë dhe duket se pos që lëndoi një lojtar të Izraelit, ka lënduar edhe Vedat Muriqin që u desht të dalë nga loja detyrueshëm, pasi që s’mund të shkelte me të majtën e tij (66’).
Në fakt, Muriqi e Rashica kanë qenë edhe lojtarët më të dalluar të ekipit, ndërsa sulmuesi i Mallorcës ka pasur rast ideal në pjesë të parë, kur shutoi me të majtën, e që u mbrojt refleksivisht nga Glazer (31’).
Nuk vonoi, Muriqi gjeti më vonë Rashicën, ku ky i fundit qëlloi fortë në mes të portës dhe lartë, për të mposhtur Glazerin - shumë të mirë deri në ato momente. Avantazhi i dha lehtësim Kosovës, ndërsa me të nisur pjesa e dytë Primoz Gliha bëri dy zëvendësime, duke futur krahën Ermal Krasniqi dhe Zymer Bytyqi, në vend të Lirim Kastratit dhe Florian Loshajt.
Fusha thuajse plotësisht në lloç, vështirësoi gjithça, ndërsa lojtarët izraelit nuk arrinin të gjenin rrugën e golit, kurse në anën tjetër Kosova humbi edhe disa raste shumë të mira për të “mbyllë” ndeshjen më herët. Ka qenë Zymer Bytyqi nga afërsia (48’), Muriqi (61’), Ermal Krasniqi (90’) që kanë pasur raste në pjesë të dytë - pa sukses.
Pos të përmendurve, minuta fituan edhe Elbasan Rashani (prej 62’) që zëvendësoi Florent Muslijën, Meriton Korenica (prej 66’) që zëvendësoi Muriqin e lënduar, si dhe Kreshnik Hajrizi (prej 78’) që hyri në vend të Rashicës. Në fund, urimi i dyshes Muriqi-Rashica tha shumë, kryem punë!
Kosova arrin në 10 pikë sonte, mbetet në pozitën e katërt në grup, ndërsa udhëton në Zvicër për të luajtur duelin e radhës më 18 nëntor, para se të mbyllë kualifikimet më 21 nëntor ndaj Bjellorusisë në Prishtinë.