Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

REAL MADRID 3-1 MANCHESTER CITY (AEX)

Real Madrid i madh, përmbysje dyminutëshe për finale

Fotot: UCL/fb

Real Madrid i madh, përmbysje dyminutëshe për finale


4 May, 2022 @23:30

Mohamed Salah në ditën pasi që siguroi finalen e Ligës së Kampionëve kishte një dëshirë. E atë dëshirë ia plotësoi në mënyrë senzacionale Real Madrid.

Superylli i Liverpoolit kishte thënë se e dëshiron Real Madridin në finale të Ligës së Kampionëve, pasi që kanë një “borxh të palarë” me ata, duke aluduar në finalen e humbur Real Madrid 3-1 Liverpool, të vitit 2018.

E kur Manchester City ishte në epërsi 0-1 në Bernabeu, pasi që algjeriani Riyad Mahrez kishte shënuar një gol tepër të bukur 17 minuta para fundit të ndeshjes, Real Madridi tregoi shpirtin e madh luftarak me në krye Karim Benzemanë në formë të jashtëzakonshme, derisa treshja standarde e mesfushës, Luka Modric, Toni Kroos dhe Casemiro, ishin zëvendësuar.

Ka qenë zëvendësuesi brazilian Rodrygo që u përkujdes në momentet e fundit të ndeshjes ta dërgojë duelin në vazhdime. Braziliani njëherë me asistim të Benzemasë, pastaj me të Asensios shënoi për 2-1, pas 90-minutave. Rezultati i përgjithshëm këtu u bë 5-5, pasi që ekipi i Pep Guardiolës kishte fituar ndeshjen e parë në Etihad, 4-3.

E një penallti në vazhdime, e shënuar në mënyrë klasike nga Benzema për përfundimtaren Real Madrid 3-1 Manchester City [Rodrygo 90, 90+1, Benzema 95p. - Mahrez 73],  çoi mbretërit në finale të Ligës së Kampionëve, për t’i vënë djelmoshat e Carlo Ancelottit përballë Liverpoolit në finalen e madhe të Parisit që do të luhet në Stade de France më 28 maj.

Rekord-fituesi i kësaj gare (13) përballë njërës ndaj skuadrave me më së shumti trofe (6).


 
Të gjitha lajmet nga Champions League