SUPERKUPA E MBRETËRVE

Reali mbron Superkupën europiane, e katërta në histori
8 August, 2017 @22:35
Real Madrid me lojë bindëse ka fituar ndeshjen e finales së Superkupës europiane në futboll, duke e mposhtur Manchester Unitedin sonte në Shkup, 2-1, për të çuar për herë të katërt në muzeun e Santiago Bernabeut këtë trofe.
Përndryshe, Real Madrid ka mbrojtur këtë trofe, pasi që të njejtën e pat fituar edhe vjet, kur në finale mposhti Sevillën.
Ka qenë Casemiro që ka bërë dallimin në pjesë të parë të ndeshjes, kur shënoi për avantazhin fillestar të madrilenëve, ndërsa në pjesë të dytë Isco shtoi avantazhin në 2-0.
Edhepse Manchester United u rikthye shpejt përmes Romelu Lukakut, për 2-1, ekipi i Jose Mourinhos do të mund të ‘vajtojë’ rastet e humbura pas golit të parë, kur më të mirën e kishte Marcus Rashford, që i vetëm para Keylor Navasit nuk arriti të gjej kornizën e portës.
Zinedine Zidane futi Cristiano Ronaldon në 10 minutëshin e fundit të takimit, kur madrilenët nisën me kundërsulme të rrezikojnë seriozisht dhe United nga goli shpëtoi vetëm në saje të David de Geas, që mbrojti dy raste ideale të Realit.
Toni Kroos, Casemiro dhe Luka Modric, kanë dominuar në të gjitha aspektet mesfushën në këtë përballje, që është edhe arsyeja kryesore e dominimit të Real Madridit në trofuen e radhës për francezin Zidane dhe ekipin e mbretërve.
TRIUMFET E REALIT NË SUPERKUPË
Real Madrid ka triumfuar në Superkupën e Europës në vitet: 2002, 2014, 2016 dhe 2017. |