EDY REJA
Reja: Më e rëndësishmja Andorra, sulmuesi s’është braktisur
21 March, 2021 @12:54
Selektori i kuqezinjëve, Edy Reja, përgjatë publikimit të listës së të ftuarve për 3 ndeshjet e marsit — ka bërë të ditur rnëdësinë e jashtëzakonshme të ndeshjes me Andorrën. Ndërkaq, theks të veçantë i ka vënë mosftesës së sulmuesit Bekim Balaj, duke bërë të ditur se ai nuk është braktisur, por vetëm nuk ka pasur vend në listë për këto ndeshje të marsit.
“Me Andorrën kemi pasur një eksperiencë të keqe, e cila nuk duhet ne asnjë mënyrë të përsëritet. Për ne kjo është ndoshta ndeshja më e rëndësishme në këtë moment dhe më pas do të mendojmë për të tjerët. Duhet të mendojmë për këtë ndeshje, kemi pasur precedentë negativë, por nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë, mbi të gjitha për një skuadër kombëtare si e jona nuk duhet t’i lejojë vetes në asnjë moment një rënie përqendrimi. Kemi parë së fundmi edhe eksperiencat e skuadrave të forta si Real Madrid, apo skuadrat angleze në Champions League, të cilat nuk shpërqendrohen asnjëherë dhe nuk nënvlerësojnë për asnjë moment. Diferencën e bën përqendrimi, shpirti i skuadrës dhe dëshira për të bërë ndeshjen kushdo qoftë kundërshtari. Nuk duhet të ketë ulje të përqendrimit. Ky duhet të jetë dhe mentaliteti ynë, aq më tepër tani që morëm dhe një kënaqësi siç ishte ai i ngjitjes një kategori më lart në Ligën e Kombeve, por tani kemi një përgjegjësi e madhe sepse në Ligën B do të gjejmë skuadra më të forta. Në këtë këndvështrim duhet të jemi të fortë edhe ne, mbi të gjitha në aspektin karakterial dhe në aspektin e përqendrimit. Sepse këto janë elementët që bëjnë diferencën,” — ka thënë Reja.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELAT “KATAR 2022”
Ndërsa sa i përket mos-ftesës së Balajt në sulmin e skuadrës ai ka shpjeguar detajisht arsyen.
“Sigurisht, më vjen shumë keq, sepse ne kemi një listë me 28 lojtarë dhe më është dashur të lë jashtë lojtarë si Bekim Balaj në veçanti, i cili i ka dhënë shumë Kombëtares, por më duhet të krijoj hapësira për lojtarë më të rinj. Për shembull Uzuni po paraqitet mirë, po ashtu Kamberi, Manaj, Broja, i cili ka bërë paraqitje të mira me ne dhe me klubin në Holandë dhe duhet t’u krijoj hapësira të gjithëve. Natyrisht, lojtarët e lënë jashtë nuk janë braktisur, thjeshtë për këtë cikël ndeshjesh janë lënë jashtë, por janë pjesë e grupit të madh prej 38 lojtarësh që ne kemi. Do të duhej t’i grumbulloja të gjithë, por është e pamundur. Tani do të nis të shoh këta të rinj në mënyrë që t’i përfshij gradualisht nëse do të kemi mundësi ta bëjmë këtë. Edhe Balaj, të cilën nuk e kemi marrë për këto ndeshje, e kemi në plane dhe do ta ftojmë sërish në ndeshjet e tjera,” — ka shtuar ai ndër të tjera sot.
Shqipëria këtë muaj luan tre duele kualifikuese, radhazi, si mysafir ndaj Andorrës, pastaj vendase ndaj Anglisë dhe si mysafire ndaj San Marinos.