VIRGIL VAN DIJK
Rekord transfer botëror për mbrojtës
27 December, 2017 @21:44
Liverpool posa ka thyer rekordin botëror të transferit për një mbrojtës.
Qendërmbrojtësi holandez i Southamptonit, Virgil Van Dijk, është zyrtarizuar si lojtar i ri i Liverpoolit dhe prej datës 3 janar, ai do të mund të vesh edhe në fushë fanellën e skuadrës së tij të re.
REKORDI BOTËROR
Shifra prej 85 milionë eurove për një mbrojtës, sa do t’ia paguajë Liverpool Southapmtonit do të jetë rekordi i ri botëror.
Mbrojtësi 26 vjeç kishte kaluar te Southampton prej Celticut, për 15 milionë euro. Celtic kur e kishte shitur lojtarin te Southampton, kishte kërkuar edhe 10%-shin e transfereve të ardhshme, që do të thotë se 8.5 milionë euro do t’i përfitojë edhe ekipi skocez nga ky transfer.
NUMRI I VAN DIJK
Rekordin e deritashëm për një mbrojtës e kishte Manchester City, që i kishte paguar 58 milionë euro Monacos për Benjamin Mendyn.
Van Dijk do të vesh fanellën me numër katër te Liverpooli që nga viti i ardhshëm.
I GJASHTI
Përndryshe, ky është lojtari i gjashtë që Southampton ia shet Liverpoolit që prej vitit 2014, pas Sadio Mane, Adam Lallana, Dejan Lovren, Nathaniel Clyne dhe Rickie Lambert - që i kushtuan ekipit nga Anfield Road 200 milionë euro.