GOTZE
Rekord transferi gjerman
23 April, 2013 @14:11
Mesfushori ofanziv që llogaritet njëri ndër talentët më të mëdhenjë gjerman, Mario Gotze, do të punojë tash e tutje nën urdhërat e Josep Guardiolës në Bayern të Munchenit.
Lajmin e të përditshmes gjermane e ka konfirmuar vetë klubi i tij, Borussia Dortmund, ku shkruan, “Agjenti i Mario Gotzes, Volker Struth, ditë më parë na tha se lojtari dëshiron ta përdorë çmimin e prishjes së kontratës prej 37 milionë eurove me klubin tonë dhe të kalojë në Bayern Munchen.”
Nga bavarezët, që sot janë të preokupuar me Ligë të Kampionëve dhe presin Barcelonën në Allianz Arena, nuk ka asnjë informatë ende.
Mario Gotze do të bëhet kështu transferi më i lartë në mes të klubeve të Bundesligës, rekordin e të cilit e mban sulmuesi i Bayernit, Mario Gomez, që kishte kaluar nga Stuttgarti në Bayern në vitin 2009 për 35 milionë euro. Rekordi i përgjithshëm i transfereve në Bundesligë (brenda dhe jashtë vendit) është mesfushori i Bayernit, Javi Martinez, që erdhi për 40 milionë euro stinorin e kaluar nga Athletic Bilbao.
Borussia Dortmund kështu do ta humbë njërin prej talentëve më të mëdhenjë të saj, i cili ka qenë pjesë e klubit që nga viti 2001, kur Gotze ka qenë dhjetëvjeçar.