5 PËR FUNDJAVË
Rënia e Cityt
Shkruan: Luan MORINA
6 February, 2016 @7:08
Kësaj radhe 3 janë ndeshjet e rëndësishme nga Premier Liga që zënë vend në TOP 5 ndeshjet e fundjavës, derisa Leverkusen - Bayern dhe Ajax - Feyenoord, janë tjerat.
1. Manchester City – Leicester City (e shtunë, ora 15n2)
Njoftimi për ardhjen e Guardiolës dhe orari i shkurtit mund të çmontojnë orët tek Manchester City. Dy veta kryesore në këtë ekip nuk janë të kënaqur me këtë vendim – Manuel Pellegrini dhe Yaya Toure. Ky i fundit mund edhe mos ta pres marsin në MCI me Kinën si destinacion të përkryer. Janë katër frone në të cilat Manchester City është i përzier gjatë këtij muaji. Humbja eventuale nga Leicester do ti largonte goxha shumë nga Leicester City që për dallim ka vetëm ligën.
Ekipi i Ranierit vazhdon të tregoj formë të shkëlqyer. Supergoli i Vardyt padyshim që i kthen vetëbesimin sulmuesit më të mirë anglez për momentin. Mahrez vazhdon me formën e shkëlqyeshme dhe gjuajtjet nga larg. E fakti më inspirues për fansat e Leicester është forma e bukur e Okazakit. Shpresojmë në ndeshje me shumë gola për të hapur një vikend goxha të mirë.
2. Southampton – West Ham (e shtunë, ora 6e30)
Të dy këto ekipe kanë grumbull të mirë lojtarësh. Southampton është një arsye shtesë për tu shikuar me ardhjen e Charlie Austin. Me Long e Pelle tashmë në ekip, Saints kanë një sulm vërtetë të mirë, derisa as repart tjera nuk mbesin mbrapa. Kohëve të fundit sikur kanë marr veten derisa Ronald Koeman është një nga trajnerët më të mirë në ligë.
Ngjashëm edhe Bilic që ka qenë varrmihës për ekipet e mëdha. Saints nuk janë ekip i madh, ama janë ekip i një niveli me Hammers. Këta të fundit njihen për lojë të hapur edhe si mysafirë, pa frikë për të sulmuar. Kjo pritet ta bëj këtë ndeshje një alternativë më të mirë se ndeshja në vijim, të shtunën në mbrëmje.
3. Leverkusen – Bayern (e shtunë, ora 6e30)
Leverkusen ka gjetur formën muajt e fundit. Kjo ka ndodhur njëkohësisht me rilindjen e Chicharitos, të cilën e konsideroj si njërin nga 9shit më të mirë në botë për momentin. Ibrahimovic e Lewandowski mund të jenë më vrastar veçse. Por, kundër Bayernit kurrë nuk është lehtë. As nuk pritet të jetë të shtunën, përkundër mungesave në mbrojtje.
Ekipi i Guardiolës së paku ka sulmin dhe mesfushën në takt. Udhëtimi në BayArena është ndër të paktit ku mund të humbin pikë. Megjithatë, Bayern janë disa nivele më të mirë se farmaceutët.
4. Ajax – Feyenoord (e diel, ora 12e30)
Klasikja holandeze është më në fund prapë interesante. Me rikthimin e Feyenoord në formë pas disa viteve larg kreut, me ringjalljen e PSV, kampionatit holandez sikur po i kthehet pamja normale. Ajax ka humbur pikë javën e kaluar, në fund. Feyenoord ka larguar njërën nga mollët e prishura në Kazim Richards. Të dyja dëshirojnë Ligën e Kampionëve në mot. Futbolli holandez gjithmonë ka qenë i bukur për sy. Ngjashëm pritet të jetë edhe të dielën në drekë.
5. Chelsea – Manchester Utd (e diel, ora 5)
Do ju propozoja të flini në këtë kohë të dielën. Por, edhe kjo ndeshje nuk pritet të ketë dallim të madh nga gjumi. Chelsea humbi shumë shanse në ndeshjen e fundit në Kupë. Manchesteri realizoi disa prej atyre që kishte. Martial ka gjetur veten. Në këtë rrugëtim edhe Rooney. Hazard e Oscar përkundër disa shkëndijave nuk janë ata të vitit të kaluar. Do të duhej të ishte një ndeshje nga më të mirat e vitit. Sikur të ishin Carlo apo Jose tek Chelsea, e Sir Alex tek ManUtd. Kështu mund të jetë ndeshje e përgjumur. Por, shpresa e fundit është që fansat të na mbajnë të zgjuar.