VAZHDON KONTRATËN
Reus mbetet te Dortmund
10 February, 2015 @14:51
Krahu këmbëshpejtë gjerman, Marco Reus, ka befasuar opinionin europian të futbollit sot duke nënshkruar kontratë të re me ekipin e tij aktual, Borussia Dortmund.
Qyteti-shtëpi
Njeriu që përfolej se do të mund të kalojë në ekipe të mëdha si Real Madrid, Barcelona, Manchester United, etj. i ka dhënë fund spekulimeve duke vazhduar kontratën e tij me klubin verdhezi nga Dortmundi, që aktualisht gjendet në zonë të rrezikshme në klasifikim të Bundesligës.
“Jam shumë i lumtur me vendimin që kam marrë. Dortmund është qyteti im dhe Borussia është ekipi im. Pres një të ardhme të suksesshme me ekipin dhe me tifozët e mrekullueshëm pas nesh. Kemi punë për të bërë,” ka thënë Reus pas nënshkrimit të kontratës, transmeton Eurosport.
Arsyet e qëndrimit
Sipas analistëve gjerman të futbollit, arsyeja e qëndrimit të Reusit mund të jetë me të vërtetë Dortmundi, si qytet. Ai është i lindur dhe i rritur aty. Qyteti në një kohë ka lejuar që ai të bëhet njeriu i vetëm të ngasë automjetin pa leje dhe të mos dënohet. Familjen e ka aty. Për më tepër, ai mund të ndikojë që në Dortmund të qëndrojnë edhe bashkëlojtarët tjerë si Matts Hummels, Ilkay Gundogan, Sven Bender etj. të cilëve u përfundon kontrata në dy vitet e ardhshme.
Sipas informatave të pakonfirmuara, ai do të përfitojë 10 milionë euro nga ekipi i tij si rrogë vjetore.
Natyrisht, ekziston edhe opcioni tjetër që Dortmund ta shesë atë për shumë më shumë miliona gjatë verës, pasi që tashmë i është hequr klauzola që e liron atë për 25 milionë euro nga klubi dhe Dortmund do të mund të përfitojë shumë më shumë nga ai.