KONFERENCA
Rikthehet kapiteni, Pellegrini akuzon FA
12 February, 2016 @15:13
“Sagna, Mangala, Delph, Nasri, Navas, De Bruyne dhe Bony janë të lënduar. David Silva është i gatshëm dhe po ashtu tani kemi të gatshëm edhe kapitenin Kompany.” - u shpreh në konferencën për shtyp para gazetarëve trajneri i Manchester Cityt, Manuel Pellegrini.
Pas humbjes me Leicesterin javën e kaluar, Cityt i duhet detyrimisht fitorja ndaj Tottenhamit këtë fundjavë nëse dëshiron ende të mbetet në garë për titull dhe për këtë Pellegrini u shpreh:
“Duhet ta menaxhojmë situatën me kujdes. Jemi në 4 kompeticione dhe kemi shumë lojtarë të lënduar. Tottenhami është një skuadër fantastike dhe do të jetë një ndeshje interesante. Është një ndeshje e rëndësishme për ne.”
Kurse para fillimit të Champions League, Pellegrini u shpreh i pakënaqur me orarin e ndeshjeve që cakton FA, duke thënë që Federata Angleze duhet t’i mbrojë më tepër skuadrat angleze:
“Duhet të luajmë të shtunën kur kemi ndeshje në Europë. Nuk e kuptoj pse duhet të luajmë të dielën dhe pastaj të martën apo të mërkuren, kur nuk ka asnjë arsye pse të mos luajmë të shtunën. Kjo ndodh në secilën ligë por jo në Angli. Skuadrat angleze duhet të mbrohen para sfidave në Europë.”