5 PËR FUNDJAVË
Kur e ardhmja vonohet për Wengerin!
Shkruan: Luan MORINA
12 February, 2016 @15:28
Duelet më interesante të kësaj fundjave nga futbolli europian dhe pritjet.
1. Benfica – Porto (e premte, ora 9e30)
Liga portugeze në masë të madhe i ngjan asaj skoceze. Benfica dhe Porto kanë 61 tituj së bashku. I vetmi dallim është që Sportingu është shumë më i mirë se Aberdeen tek numri i titujve.
Për shkak të angazhimeve në Evropë, përballja ndërmjet Benficas e Portos, e 164të në ligë do të mund të ishte edhe fundi i ëndrrave të Portos për titullin eventual. Bardhë-e-blutë po kalojnë një sezon nënmesataren e tyre duke rënë edhe nga Championsi edhe nga lufta për titull. Gabime në transferime gjatë verës po u kushtojnë më shumë se Benficës. Megjithatë të dyja mbeten të mbushura me talente. Pa marrë parasysh se kush luan e ku gjenden në tabelë, O Clasico është një nga derbit më të mirë në botë.
2. Juventus – Napoli (e shtunë, ora 15n9)
Edhe Allegri edhe Sarri në tetor rrezikonin shkarkimin. Të dy tani janë në krye të listës së trajnerëve më të mirë në Itali. Allegrin e pret puna në Ishull në verë, e zëvendësuesi i tij mund të jetë pikërisht Sarri.
Të dy ekipet kanë shfaqur formë të shkëlqyeshme gjatë këtij sezoni. Derisa pozita e Juventusit nuk është asgjë për tu çuditur, ajo e Napolit zgjon disa vetulla. Sarri ka komponuar një ekip të shkëlqyeshëm të udhëhequr nga Higuain i cili po arsyeton çdo cent të harxhuar në të. Argjentinasi po tregon formën e karrierës.
Hiç më keq nuk është as Dybala i cili po mbulon goxha mirë sulmuesit jo bash në formë të Juventusit. Iu desh kohë Allegrit të adaptonte ish-lojtarin e Palermos, por tashti duket i pandalshëm. Do të jetë një ndeshje interesante, dhe shpresoj sa më pak italiane (lexo: defensive) me më shumë gola.
3. Arsenal – Leicester City (e diel, ora 1)
Sikur ta dija obsesionin e Wenger me Flaminin!!! Pjesa defensive e mesfushës është shumë më e mirë se të ketë Flaminin startues. Por, nuk është faji vetëm tek Flamini. Wenger duhet të merr seriozisht punën e titullit. Ka kohë që po punon për të ardhmen, mirëpo një pyetje shumë e thjeshtë do të ishte – kur është e ardhmja? Ka vite që nuk kanë titull kampioni, e titulli s’do të vjen me lojtarë si Cazorla, Arteta, Chamberlain, Giroud, Mertesacker, Rosicky, e kuptohet Flamini! Arsenal duhet të lë filozofinë e zhvillimit të lojtarëve, dhe të blej figura që i nevojiten në fushë.
Leicester është tregimi më i mirë në historinë e futbollit të këtij shekulli. Ka pasur tregime të përafërta këto 16 vite, por asnjë nuk mund të tejkaloj atë çfarë po bëjnë Leicester, Vardy, dhe Ranieri. Nëse doni të shihni se si luhet futbolli pa komplekse, me lirinë maksimale që ka një ekip në fushë, atëherë shiheni Leicesterin. Janë lojtarë që kënaqen duke luajtur futboll. Mahrez nuk bëhet merak se kush është para tij ose në portë, driblon e gjuan nga ku të ja merr mendja. Kante, Albrighton, Drinkwater, nuk llogarisin kush është para tyre, ngjashëm si mbrojtja. E Vardy, gjuan nga kudo. Ekip pa komplekse, ekip që kënaqet vet dhe kënaq shikuesin me futboll.
4. Manchester City – Tottenham (e diel, ora 5e15)
City ka nisur të rrënohet. Humbja nga Spurs mund të jetë baskia e fundit në tabut. Dhe ndodhja e kësaj ka gjasa më të mëdha se sa para dy javëve. Emërimi i Guardiolës lëndon City më shumë se lëndimi i De Bruyne dhe dështimi i Sterlingut. Pellegrini dhe Toure, dy shtyllat kryesore duhet të gjejnë diku motivin për të vazhduar edhe për katër muajt e radhës. Por, edhe vitin e kaluar City ishte në këtë pozitë, veçse me lojtarë më të dobët. Në fund pësuan fiasko.
Tottenham janë ekip i mirë. Edhe më të mirë e kanë trajnerin. Durimi që kanë pasur në Pocchettinon po shpaguhet. Kanë pasur disa transferime të qëlluara, dhe gjithashtu nuk u ka munguar fati në disa nga ndeshjet kryesore – Crystal Palace së fundmi. Nuk e kanë të lehtë të fitojnë në Etihad, por së paku mund të bëjnë lojë të mirë. Është Premier League.
5. Fiorentina – Inter (e diel, ora 15n9)
Magjia e fillimit të kampionatit nga Paulo Sousa sikur është venitur me ardhjen e dimrit. Për të qenë në luftë për titull duhet të performosh çdo javë. Fiorentina nuk e ka bërë këtë. Së paku kanë bërë lojë më të bukur për sy dhe më ofanzive se sa Interi.
Viola ishte shenja e parë që Interi i këtij sezoni nuk është për kampion. Kanë ekip e lojtarë të mirë, por nuk kanë trajner. Asnjëri nuk janë kalibër kampioni, dhe gjithçka që mund të shpresojnë është Liga e Kampionëve. E këtu Fiorentina është një hap më afër.