OLE GUNNAR SOLSKJAER

Rikthimi në Premier League
2 January, 2014 @19:23
Norvegjezi 40 vjeçar, Ole Gunnar Solskjaer është trajneri i ri i Cardiff Cityt, transmeton faqja zyrtare e klubit uellsian sot.
Solskjaer i cili u bë i famshëm me golin e tij në finale të Ligës së Kampionëve në vitin 1999 ndaj Bayern Munchenit, ka qenë rezervë e artë e Sir Alex Fergusonit, gjatë periudhës sa ka luajtur për djajt e kuq.
Ai ia nisi karrierës së tij si trajner në Molde, ku ka arritur dy herë të shpallet kampion dhe njëherë të fitojë kupën e Norvegjisë.
Baby Face Killer, siç është njohur nga mediat Solskjaer ka thënë se detyra e tij primare do të jetë ruajtja e statusit të ekipit nga liga elite, derisa u ka dhënë shpresë tifozëve, “Se Cardiff duhet të përfundojë së paku mbi Swansean në Premier League.”
Trajneri historik i ekipit uellsian, Malkie Mackay, është shkarkuar nga pronari malajzian i klubit ditë më parë përkundër përkrahjes nga të gjitha mediat, tifozët e më gjërë.
Për norvegjezin Solskjaer qarkullojnë thëniet se është nxënësi më i mirë i Fergusonit, pasi që ka qëndruar më së shumti në bankën rezervë dhe i ka parë e dëgjuar nga afërsia të gjitha taktizimet e skocezit legjendar.