BAYERN - REAL MADRID

Ronaldo me rekord, Reali me fitore
12 April, 2017 @22:39
Një ndeshje me 2 fytyra u zhvillua sonte në ‘Allianz Arena’ të Mynihut. Pjesa e parë kaloi me dominimin e vendasve, ndërsa vërshëllima e fundit e gjyqtarit të lumtur e gjeti kampionin në fuqi të Evropës, i cili falë një pjesë të dytë fantastike, e mbylli me fitore takimin e parë çerekfinal.
Epërsia e vendasve erdhi nga goli me kokë i Arturo Vidal, ndërsa po i njëjti lojtar u bë figurë tragjike e skuadrës së tij në fundin e pjesës së parë, duke e shpërdoruar penalltinë, e cila do t’i jepte Bayernit epërsi solide të dyfishtë. Në anën tjetër, edhe Reali pati rastet e veta në pjesën e parë. Prej tyre më i miri ishte për francezin Benzema, goditja e të cilit u ndal nga fillimisht nga Neuer e më pas e preku edhe shtyllën, por që mjaftoi që topi mos të përfundonte në rrjetë.
Për dallim nga pjesa e parë ku Bayerni zhvilloi futboll fantastik, me presion të lartë dhe me raste të krijuara, pjesa e dytë ishte totalisht tjetër. Gjithçka mori kahje tjetër me të filluar pjesa e dytë. Ishte Cristiano Ronaldo ai që shënoi për 1-1 pas një pasimi fantastik nga Carvajal, e ky gol duket si i dha krahë Realit në vazhdim të takimit. Pak minuta pas golit, gjërat u lehtësuan edhe më tepër. Ishte spanjolli Javi Martinez ai i cili i përkësoi gjërat për skuadrën e Ancelottit. Pas faullimit të Ronaldos, Martinez u përjashtua me dy kartonë të verdhë, duke ia humbur ekuilibrin totalisht skuadrës vendase, e këtë gjë e shfrytëzoi në mënyrë fantastike skuadra e francezit Zinedine Zidane.
Reali në vazhdim të ndeshjes krijoi raste të njëpasnjëshme, duke dominuar totalisht në çdo aspekt, ndërsa goli i fitores u shënua përsëri nga Cristiano Ronaldo, për të cilin ky ishte goli numër 100 sa i përket garave evropiane me klube. Asnjë lojtar tjetër nuk e ka arritur këtë shifër të golave deri më sot.
Po të mos ishte për portierin Neuer, Reali do të kishte shënuar edhe më tepër, mirëpo edhe rezultati 1-2 nga ndeshja e sontme i jep një avantazh të madh spanjollëve në ndeshjen e kthimit që luhet në ‘Santiago Bernabeu’ pas 1 jave.
All Goals & Highlights - Bayern Munich 1-2… by FootballLiveGoals