ILIR AZEMI
Së pari rehabilitimi, pastaj golat!
Marrë nga: Bild
24 December, 2014 @15:08
Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Ilir Azemi, muaj më parë u aksidentua rëndë.
Mirëpo, ai shpëtoi për fat të mirë dhe tani është në fazën e rehabilitimit. Sidoqoftë, përkundër kësaj ai nuk e din datën e rikthimit të tij në fusha të gjelbëra, ka thënë vetë Azemi për ditoren gjermane, Bild, në një intervistë.
Golat për qejfi
“Futbollist jam ende dhe me gjithë qejf do t’i shënoja edhe disa gola, por për këtë më duhet rehabilitimi, që tashmë është motiv imi për tu forcuar edhe më shumë,” ka thënë ai mes tjerash.
Tifozë të shumtë të ekipit të tij, Greuter Furth, në përkrahje ndaj sulmuesit kanë thirrur emrin e tij në një ndeshje.
“Ka qenë fantastike. Dua t’i falenderoj të gjithë ata që më kanë dhënë çfarëdo lloj përkrahjeje gjatë këtyre ditëve të vështira,” ka shtuar sulmuesi 22 vjeçar i Greuter Furthit.
Së pari rehabilitimi, pastaj gjithçka tjetër
Sa i përket kontratës së tij, që skadon në fund të këtij stinori, Azemi ka bërë të ditur se nuk e ka fort ‘dert’ këtë gjë.
“Së pari më duhet të shërohem plotësisht, pas kësaj gjithçka do të vijë në vend të vetin. Kontratën nuk jam duke e menduar aktualisht,” shtoi ai.
Familja e para
Për dëshirat në Vitin e Ri, ai ka thënë se para së gjithash është që familja dhe vetë ai të jenë të shëndoshë, e për të gjitha të tjerat do të punojë maksimalisht për t’i arritur.
Azemi ka qenë njëri ndër sulmuesit më të mirë të Greuter Furthit stinorin e kaluar dhe arriti barazhin për të futur në Bundesligë.
Ai është ftuar rregullisht edhe nga selektori Albert Bunjaki, derisa ka qenë në gjendje të luaj për përfaqësuesen e Kosovës.
Iliri njihet si praktikues i devotshëm i fesë myslimane, derisa ka falenderuar Zotin për faktin që ka mbetur gjallë.