TRAJNERËT E STINORIT
Sejdiu dhe Lushtaku, të palëvizshmit e stinorit
9 June, 2015 @19:17
Gani Sejdiu, trajner i Ferronikelit dhe Tahir Lushtaku, trajner i Drenicës, janë dy trajnerët e vetëm në Superligë - që kanë mbijetuar stinorin pa u shkarkuar.
Sejdiu, as nuk kishte arsye të shkarkohej pasi që në fund tejkaloi objektivat e fillim stinorit me klubin nga Drenasi duke u bërë kampion, derisa Lushtaku, i siguroi Drenicës mbijetesën, që mbajti postin e tij sigurt deri në fund të stinorit.
E skuadrat tjera të Superligës, të gjitha kanë ndërruar së paku një trajner gjatë stinorit.
Radhazi, Besa ia nisi stinorin me Valdet Shoshin dhe e emëroi Arbnor Morinën nga xhiroja e tretë, që çoi deri në fund të stinorit me sukses ekipin pejan.
Prishtina nisi me Bylbyl Sokolin bujshëm, ndërsa e përfundoi stinorin me Ramiz Krasniqin.
Hajvalia nisi stinorin me Sunaj Keçin, e vazhdoi me Ismet Munishin për ta përfunduar me Emin Bajramin.
Kosova e Vushtrrisë e nisi me Munishin, derisa e përfundoi atë me Bekim Shotanin.
Trepça’89 filloi stinorin me Rafet Prekazin, për të vazhduar me Fahredin Durakun, ndërsa fundin e stinorit e gjeti me Afrim Tovërlanin.
Istogu e nisi me Besim Podrimajn, derisa nga xhiroja e pestë emëroi Nazmi Ramën, që siguroi mbijetesën për klubin.
Edhe Vëllaznimi do të ishte si Ferronikeli e Drenica, pa ndërruar trajner, përveç një xhiroje kur drejtuesit e klubit shkarkuan Genc Hoxhën dhe emëruan Ekrem Radoniqin. Radoniqi u largua menjëherë nga ekipi, pasi që futbollistët gjakovarë nuk luajtën pa Hoxhën, që u kthye përsëri në ekip.
Drita ndërroi gjithashtu disa trajnerë. Nisën stinorin me Agron Selmanin, pastaj emëruar Afrim Shahihin për të vazhduar me Sadat Pajazitin për të pritur fundin me Shefket Sermaxhajn.
Ferizaji nisi me Naim Sojevën, vazhdoi me Rexhep Myrselin për të pritur fundin e turbullt me trajnerë të përkohshëm.
Ndërsa skuadra e fundit në tabelë, Trepça, filloi me Emin Ajvazin, vazhdoi me Ajet Shoshollin për të përfunduar stinorin me Fidaim Haxhiun.