5 PËR FUNDJAVË

Shaqa për Champions
Shkruan: Luan MORINA
23 January, 2016 @16:43
Një shikim i shpejtë te ndeshjet e kësaj fundjave nën llupën e Luanit.
1. Leicester City – Stoke City (e shtunë, ora 4)
Dy ekipet më argëtuese këtë vit në Premier League padyshim që janë Leicester dhe Stoke. Që të dyja kanë befasuar ‘të mëdhenjtë’ dhe duke prodhuar rezultate pozitive në mënyrë të rregullt janë në pjesën e epërme të tabelës.
Leicester po kalon formë jo të mirë që nga fundi i dhjetorit, dhe eliminimi nga Kupa është vetëm një sinjal shtesë që punët nuk janë mirë tek ekipi i Ranierit. Vardy nuk po gjen golin, Mahrez po humb penalltitë – çfarë sinjale më alarmante mund të ketë.
Ndërkohë Stoke kryesisht dominon në Brittania, por do të jetë interesante të shohim se si do të luajnë kësaj radhe në udhëtim. Rikuperimi eventual i Shaqirit është një arsye shtesë për të parë këtë ndeshje që pritet të jetë e barabartë. Champions nuk është mision i pamundur për këto dy ekipe
2. West Ham – Manchester City (e shtunë, ora 6e30)
West Ham i Biliç di të luaj kundër ‘të mëdhenjëve’. E kanë dëshmuar në shumicën e rasteve këtë sezon, dhe duhet ta dëshmojnë edhe këtë të shtunë kundër njërit nga favoritët për titull. Lëndimet dhe tregu i janarit ka shkundur ‘çekanët’ e Londrës, por komplet nuk do të jetë as ekipi i Pellegrinit.
Citizens kanë mungesa në Kompany, Fernandinho, Mangala, Bony, e Nasri. Mbi të gjitha kanë urgjencë që të mos humbin hapin me Arsenalin derisa luftojnë akoma në të katër fronet. Mund të jetë një sezon ëndrrash për Yaya Touren dhe shoqërinë. Por, këto ëndrra mund të pësojnë goditje të rëndë në ‘Boleyn Ground’.
3. Atletico – Sevilla (e diel, ora 4)
Sevilla pas starti të dobët të sezonit që dëshmon se nuk janë ekip për Ligën e Kampionëve, këtë vit kanë gjetur formën duke rreshtuar pesë fitore me golaverazh 12-1 në ndeshjet e kupës dhe ligës. Nuk kanë pasur orar të dobët, sidomos në ligë kanë mposhtur Betisin, Bilbaon, e Malagën. Por, asnjëra nuk janë si Atletico që megjithatë po mbahet në krye të renditjes.
Ekipi i Simeones tashti nis një periudhë jo të lehtë, ku vendimtare kanë ndeshjen me Celtan në kupë pas barazimit pa gola në ‘Vincence Calderon’, dhe udhëtimi në ‘Camp Nou’ javën e ardhshme. Fitorja këtë javë është imperativ nëse vërtetë mendojnë se janë për krye të ligës.
4. Arsenal – Chelsea (e diel, ora 5)
Derbi i Londrës gjithnjë ka qenë një nga derbit më të mëdhenj në Ishull. Pa marr parasysh se ku kanë qenë në renditje këto ekipe, adrenalina gjithnjë ka qenë e pranishme. Nganjëherë është tepruar kur në fushë ka anti-futbollistë të pistë si çifti i Diego Costa. Do të jetë jetike që mbrojtja e Arsenalit pos fizikisht, të jetë e përgatitur edhe psiqikisht të përballet me një provokues të tillë.
Wenger me vite nuk e ka pasur më të lehtë shtegun deri tek titulli. Por, mjafton katër pikë të humbura në dy xhirot e kaluara për të ndërprerë serinë e rezultateve jo aq pozitive.
E Chelsea duket se është kthyer në kohën e Mourinhos. Ekipi ndoshta është prishur aq shumë që nevojitet një magjistar për ta rregulluar, e ky magjistar nuk është Hiddink. Largimi nga liga nuk është i besueshëm, por as edhe i pamundur. Është Premier League më!
5. Juventus – Roma (e diel, ora 15n9)
Roma është vonuar me Rudi Garcian, por më mirë vonë se kurrë. Spallettit i nevojitet kohë për të rregulluar ekipin. Nuk kanë fituar tashmë një muaj duke humbur pikë ndaj Chievos, Milanit, e Veronës. Gjithashtu Spallettit i nevojitet një fitore e madhe, dhe a ka më mirë se Juventusi për ta bërë këtë. Le të shpresojmë që Banti s’do të jetë sikur Rochi në tetor të 2014tës.
Ndërkohë ngritja e Juventusit është shembull se një trajner ka nevojë për kohë kur i heq figura të rëndësishme nga ekipi, sidomos mesfusha. Ka arritur të inkorporojë Dybalan në ekip, derisa ka riformësuar mesfushën. Gjithashtu, Juventus po dëshmon që janë i vetmi ekip që mund të prodhoj rezultate në vazhdimësi për një periudhë më të gjatë, pasi që Fiorentina, Inter, e Roma, kanë filluar të ngecin pas një starti shumë më të mirë se torinezët.