MUNCHEN - MILANO
Shaqa te Interi
8 January, 2015 @15:17
Reprezentuesi i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, është përforcimi më i ri i Interit, kanë njoftuar pak më parë mediat italiane, derisa së fundi edhe faqja zyrtare e Interit ka bërë të ditur njoftimin.
Tuttomercatoweb ka bërë të ditur se marrëveshja mes Interit dhe Bayernit është arritur, ku Shaqiri do të kalojë si huazim deri në fund të stinorit te ekipi nga qyteti i modës, derisa në fund të stinorit Neroazzurrët do të duhet të paguajnë 15 milionë euro në arkë të ekipit bavarez.
Në anën tjetër, Gazzetta dello Sport, raportoi gjithashtu se kontrata e Shaqirit me Interin është lidhur deri në vitin 2019, ku djaloshi kosovar do të përfitojë 2.75 milionë euro për stinor, që do të mund të ngritet deri në 3 milionë, varësisht prej performancave dhe bonuseve.
Eurosport ka bërë të ditur se Shaqiri ka bërë presion te Bayerni për kalim në Inter, duke e refuzuar ofertën më të majme të Liverpoolit si për Bayernin (20 milionë euro) ashtu edhe për vete (4 - 5 milionë euro).
Shaqiri nuk ka fituar asnjëherë minuta të merituara te Bayern nën drejtimin e Pep Guardiolas, ndërsa ka shkëlqyer me Zvicrën në Kampionatin Botëror, Brazili 2014, ku u dallua me hat-trick të shënuar.
Lajmin së fundi e ka zyrtarizuar edhe faqja zyrtare e Interit duke bërë të ditur se marrëveshja mes Interit dhe Bayernit është arritur dhe pritet vetëm nënshkrimi i Xherdanit që ai të vesh fanellën kaltër-e-zi të Interit.