I RIKTHYERI
El Nino shijon fitoren
8 January, 2015 @12:16
Ylli që në vitet e fundit nuk shëndriti, Fernando Torres, ka përjetuar deri në maksimum atmosferën në terrenin ku u rrit, Vicente Calderon, mbrëmë.
Ai debutoi që në rikthimin e tij, ku Diego Simeone, e futi në 11-she të parë të ekipit të Atletico Madridit ndaj Real Madridit.
“Jam tejet i lumtur dhe atë për shumë gjëra. Së pari rezultati, pastaj ekipi, atmosfera e përjetuar, tifozët,” ka thënë fillimisht Torres në prononcimin e tij për Canal +.
“Shije e jashtëzakonshme është ta mposhtësh njërin ndër ekipet më të mira në botë. Ka shumë mundësi për tu kualifikuar, mirëpo rezultati 2-0 nuk është definitiv, pasi që na pret ndeshja e kthimit dhe 90 minuta tjera në Santiago Bernabeu.”
Atletico Madrid mposhti në ndeshjen e parë të Kupës së Mbretit Real Madridin mbrëmë 2-0, derisa ndeshja e kthimit luhet në Santiago javën që vjen.
Ekipi me rezultat të mirë prej dy përballjeve do të sigurojë kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Mbretit, derisa Real Madrid është mbrojtës i këtij trofeu.