100%

Sheffield United vazhdon me paga të plota
11 April, 2020 @20:58
Skuadra e Premier Ligës angleze Sheffield United, ka bërë të ditur zyrtarisht para pak çastesh përmes një komunikate se ka vendosur që t’ua vazhdojë pagat e plota të gjithë punonjësve të klubit, duke nisur nga i pari te i fundit, përfshirë këtu edhe futbollistët e ekipit senior që kanë rroga të mëdha.
Duke i dëshiruar shërim të shpejtë të sëmurëve në këto kohë pandemie, Sheffield United ka bërë të ditur gjithashtu se stafin mjekësor të ekipit e ka liruar për ndihmë në Shërbimin Shtetëror të Shëndetit (NHS), të cilët gjithashtu do të marrin pagat e plota nga klubi.
Sheffield United që është duke e kaluar stinorin e parë në Premier Ligë pas rikthimit aty në verë të vitit 2019, ka bërë befasi të mirë - duke shënuar rezultate shumë të mira përgjatë 29 xhirove të stinorit.
Aktualisht ata janë të vendosur në pozitën e shtatë të klasifikimit në Premiership me 43 pikë nga 28 ndeshje të zhvilluara.