Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NË KRYEQYTET

Prishtina shkarkon Ismet Munishin

Ismet Munishi, trajner i deridjeshëm i Prishtinës/ Foto: FCPrishtina/ fb

Prishtina shkarkon Ismet Munishin


13 March, 2023 @10:44

Pas rezultateve jo të mira me rekord-kampionen e Kosovës, Prishtina ka vendosur që të ndajë rrugët me kryetrajnerin e saj, Ismet Munishi. Përmes një njoftimi të lëshuar tash, bardhekaltërit nga kryeqyteti kanë bërë të ditur se ka ndërprerë bashkëpunimin me Munishin.

Munishi 48-vjeçar në pjesën e dytë të stinorit me Prishtinën ka arritur bilans prej 1 fitoreje, 2 barazimeve dhe 4 humbjeve, ndërsa kjo e fundit ndaj Malishevës në fundjavën që e lamë pas, si duket mbushi kapakun e drejtuesve të klubit.

“Bordi i FC Prishtinës ka vendosur që ta ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Ismet Munishi. Një vendim i tillë ka ardhur për shkak të mos arritjes së rezultateve të dëshiruara në ndeshjet e fundit. FC Prishtina e falëndëron përzemërsisht Munishin për punën e bërë në skuadër. Skuadrën aktualisht do ta drejtojë trajneri Debatik Curri dhe ndihmësit e tjerë deri në një vendim të ri.” - ka bërë të ditur FC Prishtina në njoftim.

Bardhekaltërit që janë aktualisht në pozitën e katërt në renditjen tabelare të Superligës, kanë 32 pikë nga 25 ndeshje, ndërsa më afër me pikë janë nga fundi i tabelës ku Drenica ka 23 pikë (e dhjeta) sesa kreut të renditjes ku liderja Drita ka 51 pikë (e para). Gjithashtu, duhet theksuar se Prishtina është 7 pikë larg Gjilanit që është i treti, duke okupuar pozitën e fundit që prej Superlige dërgon në gara evropiane.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga