FERIZAJI

Shkon Bylbyli
14 March, 2014 @10:07
Njëri ndër trajnerët më me përvojë të futbollit kosovar, Bylbyl Sokoli, më nuk është trajner i Ferizajit.
Sokoli, ka bërë punë të jashtëzakonshme me Ferizajin në dy vitet e fundit, duke arritur dy herë në finale të Kupës si dhe duke arritur të përfundojë vjeshtën në vendin e dytë të Superligës, derisa stinorin e kaluar erdhën nga Liga e Parë në Superligë.
Arsyeja kryesore e dorëheqjes së tij është se klubi nuk i ka kryer obligimet ndaj lojtarëve, të cilët kanë bojkotuar disa herë stërvitjet deri më tani. Gjithashtu, edhe vetë ai nuk është paguar fare në vitin 2014 nga klubi, ka thënë vetë Bylbyl Sokoli, transmetojnë mediat e ndryshme të vendit sot.
Ferizaji filloi pranverën me barazim ndaj Drenicës 0-0, derisa në xhiron që vjen takohet me Besën në Pejë. Ata u eliminuan edhe nga Kupa e Kosovës në çerekfinale kur u mposhtën nga Llamkos Kosova.