EDHE NJË DISFATË
Shqipëria mposhtet nga Suedia, mbyll miqësoret e marsit pa gol!
Teksti: FSHF
26 March, 2024 @0:09
Shqipëria zhvilloi miqësoren e dytë të marsit ndaj Suedisë. Në stadiumin “Friends Arena” kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin minimal 1-0.
Trajneri Silvinjo e nisi me këtë formacion titullar takimin ndaj Suedisë: Thomas Strakosha (G), Ivan Balliu, Berat Gjimshiti (C), Enea Mihaj, Mario Mitaj, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Jasir Asani, Armando Broja.
Shqipëria zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë pavarësisht disfatës ndaj Suedisë. Kuqezinjtë humbën disa raste të arta shënimi, teksa shkëndijën e parë e dha Armando Broja në minutën e 12-të. Sulmuesi kuqezi avancoi drejt zonës duke u ndalur nga mbrojtësi suedez, një rast i diskutueshëm por arbitri vendosi të mos akordojë penallti.
10 minuta më pas provoi Nedim Bajrami me një gjuajtje drejt portës nga goditja e dënimit, por u ndal nga portieri.
Në të 23-ën Shqipëria gjeti rrugën e rrjetës me Armando Brojën, por goli u anullua për pozicion të parregullt. Menjëherë më pas në aksionin e radhës Qazim Laçi avancoi brenda zonës dhe goditi drejt portës, por topi përfundoi jashtë.
Me kalimin e minutave edhe Suedia pati disa raste të mira shënimi, por Strakosha u tregua vendimtar duke bërë dy pritje spektakolare.
Edhe fraksioni i dytë nisi mirë për Shqipërinë, teksa skuadra jonë i shkoi shumë pranë golit në të 55-ën me Jasir Asanin, por topi i goditur nga sulmuesi përfundoi jashtë.
Suedia mori avantazhin në minutën e 62-të me Nilsson, i cili goditi saktë me kokë nga brenda zonës.
Pavarësisht pësimit të golit, Shqipëria sërish ishte më dominuese në lojë dhe pas një aksioni të rrjedhshëm në të 67-ën Qazim Laçi pati një mundësi të mirë, por goditi jashtë. Më pas trajneri Silvinjo kreu disa zëvendësime të njëpasnjëshme duke aktivizuar Baren, Hysajn, Hoxhën, Cikalleshin, Muçollin dhe Muçin.
Shqipëria i shkoi shumë pranë golit të barazimit edhe në të 83-ën me kapitenin Berat Gjimshiti, por pa sukses. Deri në fundin e takimin asgjë nuk ndryshoi në rezultat dhe sfida u mbyll 1-0 në favor të Suedisë.
Kjo ishte miqësorja e dytë e Shqipërisë, teksa Kombëtarja do të zhvillojë edhe ty takime të tjera miqësore në muajin qershor, para finaleve të Europianit “Gjermani 2024”.