Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

RONALD SOBOWALE VENDIMTAR

Sobowale vendimtar, kthen Malishevën te fitorja

Foto: FCMalisheva/fb

Sobowale vendimtar, kthen Malishevën te fitorja


22 April, 2023 @19:21

Në duelin që do të mund të konsiderohet jetik për të dyja ekipet, vendimtar është treguar sulmuesi i Malishevës Ronald Sobowale. Anglezi 25-vjeçar ka shënuar dy herë, të dytën me një depërtim vetanak, për t’ia sjellë fitoren e parë në katër ndeshjet e fundit Malishevës së drejtuar nga Bylbyl Sokoli. Fitorja ka bërë që Malisheva të shënojë ngritje për dy pozita në renditje, ku po luftohet me të madhe për mbijetesë. Ferizaji 1-2 Malisheva [Betim Haxhimusa 71 — Ronald Sobowale 17, 83].

E Ferizaji bie në zonën e rënies prej kohësh, pasi që përkundër rasteve që kishin nuk arrritën të bënin më shumë me 10 lojtarë në fushë. Kjo, pasi që Marko Jovanovski mori karton të kuq që në minutën e 15 të ndeshjes kur ndali sulmuesin malishevas jashtë zone, ndërsa me VAR u pa se ndërhyrja ishte për karton të kuq, si dhe vija e 16-shit ishte pak më tutje. Leutrim Rexhepi e zëvenëdsoi në portë Jovanovskin (16).

Që në sulmin tjetër Malisheva avancoi kur Sobowale u gjend mirë në zonë, pas një topi të ardhur nga krahu i majtë, e anglezi qëlloi rrjetën për epërsi. Malisheva shënoi edhe njëherë (25) por ky gol u anulua pasi që referi vërejti me VAR se gjatë rrjedhës së aksionit kishte pozitë jashtë loje.

TABELA AKTUALE

Ferizaji mori veten edhe pse me 10 lojtarë në fushë, ndërsa rastin ideal e humbi Behar Bardhi. Ai nuk arriti të shënojë nga afërsia, pasi që më parë portieri i Malishevës ishte shtrirë në tentim për të mbrojtur goditjen e Mateo Panadicit që iu kthye nga shtylla (39).

Ronald Sobowale

Në pjesë të dytë Sobo në formë zuri në gjumë mbrojtjen e Ferizajit, kaloi edhe portierin Rexhepi por goditja e tij jo e shpejtë, u largua nga vija nga Bardhi vetëmohues për të mbetur 0-1! E kjo i dha shpresë ferizajasve që më pas me një gol të bukur të Betim Haxhimusës barazuan dhe filluan të marrin krahë për të arritur te fitorja (71).

Mirëpo, anglezi në formë sot, me një depërtim individual nga e djatha doli pas mbrojtjes së Ferizajit dhe u gjend para portierit Rexhepi, ku përtoke qëlloi këndin e djathtë të portierit dhe siguroi fitoren e madhe të ekipit. Fitorja bën që Malisheva të del në vend të shtatë me 33 pikë nga 30 ndeshje, dy më shumë sesa Ferizaji që bie në të nëntin.

Në xhiron që vjen, Ferizaji i shkon Dritës, ndërsa Malisheva Drenicës.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga