EUROPEAN QUALIFIERS

Sonte mbyllet xhiro e parafundit e kualifikimeve evropiane
7 October, 2017 @12:36
Me ndeshjet që luhen sonte do të mbyllet xhiroja e parafundit e kualifikimeve evropiane drejt Botërorit të Rusisë.
9 ndeshje nga Grupet A, B dhe H zhvillohen sonte, derisa nesër nisin ndeshjet e xhiros së fundit të kualifikimeve evropiane.
GRUPET DREJT BOTËRORIT TË RUSISË
Në Grupin A, Franca lidere luan ndaj Bullgarisë, e cila është ende në garë për vendin e dytë. Holanda luan si mysafire e Bjellorusisë, ndërsa Suedia pret Luksemburgun. Pas rezultateve të sontme, grupi mund të ketë ‘pasqyrë’ më të qartë, edhe pse ndeshje vendimtare pritet të jetë ajo mes Holandës e Suedisë, që zhvillohet pas 3 ditëve.
Nga Grupi B dy skuadrat lidere tashmë dihen, mirëpo po luftohet për vendin e parë që siguron plasman direkt në Botëror. Ishujt Faroe - Letoni, Zvicër - Hungari dhe Andorrë - Portugali janë ndeshjet e sontme nga ky grup, mirëpo dueli vendimtar që përcakton vendin e parë në grup pritet të jetë ai i 10 tetorit, me Portugalinë e Zvicrën që takohen mes vete në Lisbonë.
Një nga duelet më interesante të mbrëmjes së sontme zhvillohet në Grupin H. Bosnja e vendit të dytë takohet me Belgjikën në shtëpi, ndërsa kjo e fundit veçse e ka siguruar plasmanin direkt në Botëror. Në anën tjetër, Greqia udhëton në Qipro dhe e kërkon me çdo kusht fitoren, duke shpresuar në një gabim të mundshëm të Bosnjës ndaj Belgjikës. Takimi tjetër i grupit zhvillohet mes Gjibraltarit dhe Estonisë, takim ky mes dy shteteve pa shpresë për kualifikim.