LLAPI - TREPÇA '89

Foto: KF Llapi
Spektakël pa fitues në Podujevë
17 March, 2018 @15:58
Ishim dëshmitarë të një ndeshjeje shumë të bukur sot në Podujevë.
Llapi e Trepça ‘89 zhvilluan një takim shumë interesant që nga fillimi, duke prodhuar 6 gola, shumë raste për shënim e shumë emocione.
Brenda 6 minutave të para, Trepça ‘89 fillimisht e fitoi një penallti, e cila u shpërdorua nga Shend Kelmendi në minutën e 4’, e më pas 2 minuta më vonë Oto John shënoi për 0-1, për të na dhënë shenjat e para që na priste një ndeshje shumë interesante.
Një minutë pas golit të mysafirëve, vendasit rrezikuan përmes Mentor Zhdrellës, i cili e goditi shtyllën, kurse 20 minuta më vonë, skuadra podujevase e gjeti barazimin, me Mirlind Dakun që shënoi me një goditje prej 20 metrave, për t’i barazuar shifrat në 1-1.
Një minutë para fundit të pjesës së parë, mitrovicasit e rikthyen përsëri epërsinë. Ishte përsëri sulmuesi Oto John ai që e gjeti golin, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me rezultat 1-2.
Në pjesën e dytë, shifrat për të dytën herë u barazuan nga Hamdi Namani, i cili u gjend më së miri në zonë pas një krosimi dhe shënoi me kokë për 2-2.
Kur menduam se emocionet kishin mbaruar me 4 gola e me 1 penallti të shpërdoruar, Llapi e Trepça ‘89 na befasuan përsëri. Fillimisht mysafirët kaluan në epërsi përmes Oto Johnit në minutën e parë të kohës shtesë, e më pas Llapi reagoi shumë shpejt përmes Hamdi Namanit në minutën e tretë të kohës shtesë për rezultatin përfundimtar 3-3.
Ky barazim spektakolar nuk i konvenon as njërës e as tjetrës skuadër në luftën për titull, por dashamirët e Superligës sot shijuan një spektakël të vërtetë!