ANALIZË: 5+5 PËR FUNDJAVË!
2 në Stamboll dhe 8 derbi tjerë
Shkruan: Luan MORINA
3 February, 2017 @20:16
Dy derbi të Stambollit në 1/8 e finales së Kupës së Turqisë do të vendosin ndoshta edhe finalistët e kësaj gare. Më e mira nga e gjithë kjo është se të dyja mund t’i shihni në televizionin satelitor atv. Në Gjermani vendoset lufta për pozitën e dytë, në Francë matet e forca e Nices, dhe në Angli përcaktohet kampioni.
1. Chelsea – Arsenal (e shtunë, ora 1e30)
E pamundur po duket për ekipet e mëdha të mposhtin Chelsean. Sidomos kur provojnë të kundërshtojnë Conten me armën e tij 3-4-3. Nuk besoj që Arsenali do të del nga trajektorja e zakonshme për tu përballur me Chelsean. Ndoshta edhe ky është faji tek Arsenal, kokëfortësia kundër ndryshimit. Një pikë në ‘Stamford Bridge’ do të duhej të jetë minimumi pas turpërimit në mesjavë.
2. Bayern – Schalke (e shtunë, ora 3e30)
Schalke të mbushur me talente janë të kënaqur në pozitën që janë. Fajtori është i qartë – trajneri. Dhe për këtë arsye, rehatinë që kanë ekipet si Schalke në periudha të stërzgjatura ndërtimi dhe kënaqësinë për të përfunduar në mesin e katër të parave kemi një Bundesligë që sfidohet nga 17 ekipe. Bayern në anën tjetër nuk duhet të ketë problem të krijoj një epërsi prej 20 pikëve ashtu që Ancelotti të përqendrohet në Evropë pas dy-tri javëve.
3. Monaco – Nice (e shtunë, ora 5)
Po të kishte një vazhdimësi në rezultate Lyon, Ligue 1 do të shndërrohej në një kampionat edhe më interesant. Për momentin, mbetja e PSG mbrapa dyshes lidere (falë golit të Silvas në fund javën e kaluar), e bënë këtë ndeshje të së shtunës një përballje kampionësh. Është herët për të përcaktuar cila nga këto do të jetë këtej në tabelë në maj, por, që të dyja i kanë kushtet e nevojshme për të sfiduar për titull. Sidomos Monaco.
4. Dortmund – Leipzig (e shtunë, ora 6e30)
Leipzig është një ekip që do të ju impresionoj. Nuk i gjeni emrat që keni dëgjuar nëpër media. Blejnë njerëz për aty ku ju nevojiten dhe shumica e tyre janë talente që i përshtaten lojës ekipore, jo egomaniakë me një bollëk sponsorësh mediatik. Është strategji që po tregohet e suksesshme, pasi që futbolli po vendoset para famës së rrjeteve shoqërore. Pare të investuara mençur që po sjellin rezultate.
5. Basaksehir – Galatasaray (e shtunë, ora 6e30)
Emmanuel Adebayor ka gjetur ekip të ri. Jo, nuk është Fenerbahçe. As Galatasaray. Janë Istanbul Basaksehir, ekipi i Sokol Cikalleshit. Derisa sulmuesi ynë po aktivizohet fare pak këtë sezon dhe u huazua së fundi, ekipi i ish-selektorit të Turqisë po përqendrohet tek mesfushorët – boshnjakun Edin Visca dhe brazilianin Marcio Mossoro për të shënuar. Ndërkohë Galatasaray akoma mbahet me Sneijderin në mesfushë dhe tani Gaby Rodriguezin, i cili duket se ka ardhur të zëvendësoj Bruman në verë. Kthimi i Tolga Cigerci dhe gjetja e formës nga Semih Kaya janë faktorë të rëndësishëm tek ‘luanët’.
6. Sevilla – Villarreal (e diel, n’drekë)
E mbani në mend sa i mirë ishte Emery? Epo, tashti me Sampaolin Sevilla është në një botë krejt tjetër. S’janë më në luftë për Europa League (janë në Champions), e as nuk po luftojnë për pozitën e katërt (për të dytën). Këto dy ekipe janë ndër faktorët kryesorë të cilët mund të shpëtojnë La Ligën. Dhe, këtë sezon e kanë përmbushur këtë mision me goxha sukses. Së paku deri tashti. Do të jetë interesante t’i shohim në këtë orar aziatik.
7. Leicester – Manchester Utd (e diel, ora 5)
Nuk është çudi nëse Leicester bie në Championship këtë sezon! Kokëfortësia e Ranierit ndaj ndryshimit do t’i kushtoj italianit. Morgan dhe Huth pas një sezoni fantastik, këtë vit do të jenë varrmihës të sukseseve të Leicester. Transferimi i Molla Wague vështirë që do të ndryshoj gjërat. Edhe Ndidi mund të na dalë një Mendy tjetër, e derisa mban me zor një Ulloa në ekip, s’mund të pritet një atmosferë pozitive.
Derisa Ranieri është kokëfortë ndaj mediave, Mourinho bie lehtë pre e tyre. Njëjtë po ndodh dhe do të ndodh me United. Kokëfortësia e tij i ka kushtuar edhe në vjeshtë, edhe tashti do t’i kushtoj Manchester Unitedit. Fajin për këtë e kanë Hazard dhe Costa, rebelimi i të cilëve la pa punë atë në Chelsea. Njëjtë do të mund të ndodh edhe në United nëse nuk e vendos Ibrahimovicin në çdo ndeshje dhe Pogban në cilëndo pozitë që dëshiron të luaj (shumë frikë do ta shohim si qendërsulmues). Vendosmëria për të bërë lojtarë të mirë Rashfordin, Lingardin e Smallingun dhe tentimi për të përmbushur epshet e Rooneyit, po i lënë ata nën pozitën të cilën e kanë nënçmuar aq shumë, pozitë të cilën tani e dy vite po ëndërrojnë. Ironike, apo jo?!
8. Besiktas – Fenerbahce (e diel, ora 6e30)
Luciano Moggi turk e ka marrë malin. Deklaratë pas deklarate, Aziz Yildrim vetëm sa rrëshqet dhe dënohet. Dhe perandorin e Fenerbahces s’ka kush ta largoj. Ngjashëm edhe problemet tek ta. Në momentin që arrijnë të radhisin nja dy-tri fitore, shkojnë e pësojnë humbje bizare nga Kayserispor. E në periudhat e transferimeve përqendrohen në transferime mediatike – t’i marrin Quaresman BJK-se, apo Bruman GS-se.
Ndërkohë BJK ka bërë goditje të mençura në janar. Ka vazhduar me Tosicin, ka transferuar Babelin dhe ka kthyer Demba Ba-në. Më mirë s’kanë mundur të bëjnë.
9. Juventus – Inter (e diel, ora 15n9)
Është për tu lavdëruar, lakmuar, sidomos nga një milanist, puna që po bëjnë kinezët tek Inter. Kanë blerë lojtarë të shumtë dhe sigurisht çdo fillim aty-këtu do të del ndonjë lojtarë i mbivlerësuar, i panevojshëm. Përkundër parave të shpenzuara, shumë gjëra do të shkojnë në bërllog. Sidoqoftë, kanë shpresë, vizion, dhe qartësi për të ardhmen më shumë se rivalët e qytetit të tyre. Tani është koha të përsëritin suksesin e rivalëve, të mposhtin kampionin aktual dhe të këtij sezoni të Serie A – Juventusin.
10. Celta – Real Madrid (e diel, ora 15n9)
Që nga nëntori, në 16 ndeshjet e fundit, Celta ka humbur vetëm nga Bilbao, Sociedad, e Sevilla. Para kësaj periudhe ata kishin mposhtur Barcelonën në ‘Estadio de Balaidos,’ e këtu kishte rënë edhe Reali i Madridit, edhe pse me barazim. Janë ekip pa frikë, pa respekt ndaj dyshes apo kujtdo tjetër. Për këtë arsye është argëtim ti shohësh. Në anën tjetër Zidane po arrin të nxjerr rezultate të favorshme nga rotacioni aq i nevojshëm, edhe pse kjo nuk ka kaluar pa pasoja. Të shohim a do të mund të përsërisin suksesin e Sevillas, Atleticos, apo Leganesit, të cilët janë kthyer duarplot nga Vigo.