SUHAREKA FESTOI
Suhareka festoi triumfin në Ligën e Parë A dhe kalimin në Superligë me barazim
10 May, 2024 @20:45
Klubi i quajtur A&N, që ndërrroi pronar gjatë verës 2023 dhe ndërroi emrin në Suhareka, sot edhe zyrtarisht ka ngritur lart trofeun e dhënë nga FFK për fitues të Ligës së Parë - Grupi A dhe kështu për herë të parë në histori ata arrijnë Superligën.
Me emrin Suhareka dhe me lojtarë me përvojë nga disa ekipe të Kosovës, kryesisht ish-lojtarë të Lirisë dhe Feronikelit’74, Suhareka ka bërë atë që e kërkonte dhe shpejt - kalimin në Superligë.
Sa i përket ndeshjes, nxënësit e Arsim Thaçit që në pjesë të parë kanë treguar forcën ndaj Trepçës me golat e Fetahajt dhe Berishës, ndërsa në pjesë të dytë duke qenë se ishin më rehat, kurse Trepça kërkonte edhe sigurim matematik të mbijetesës, i dha deri në fund “zor” për të barazuar ndeshjen dhe për të siguruar 2-2, që i kënaqi edhe ata, në xhiron e parafundit të stinorit. Suhareka - Trepça 2-2 [Liridon Fetahaj 31’, Astrit Berisha 43’ - n.n. 77’, 89’].
FFK-ja këtë ndeshje e bëri të luhet një ditë më parë se pjesa tjetër e Ligës, ashtu që të ipet Kupa nga kreu i saj! Përndryshe, sa për statistikë edhe në shkrim, Suhareka nga 26 ndeshje ka 54 pikë dhe është e para në renditje të Ligës së Parë - Grupi A, ndërsa Trepça ka 30 pikë nga po aq ndeshje dhe është e shtata.