Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOSOVARJA

Sulmi suedez, i paracaktuar të udhëhiqet nga ballkanikët

REUTERS

Sulmi suedez, i paracaktuar të udhëhiqet nga ballkanikët


Shkruan: Blerim Myftiu

27 July, 2013 @12:11

Ngjashmëria e parë konsiston në atë se të dytë, flokët gjatë ndeshjes preferojnë t’i mbajnë të kapur, t’i bëjnë “bisht”. E dyta ngjashmëri është se kanë prejardhje nga Gadishulli i trazuar ballkanik, trazim i cili i ka detyruar prindërit e tyre që të shtegtojnë jashtë vendit, për të siguruar së pari kafshatën e bukës dhe së dyti, të ardhme më të mirë për pasardhësit e tyre. Migrimi i prindërve shpaguhet disi kur këta dy pasardhës bëhen sportistë kulmorë duke u shndërruar në bartës të lojës së kombëtares futbollistike të Suedisë. I biri i çiftit Sefik Ibrahimovic – Jurka Gravic, Zlatani, është shumë më i njohur meqenëse është mashkull dhe futbolli mashkullor është i mirënjohur në çdo cep të botës. Kurse, e bija e çiftit kosovar, Kosovare Asllani, njihet në vende ku futbolli femëror është i popullarizuar dhe vende-vende më i suksesshëm se ai mashkullor (Skandinavi, Gjermani, shtetet e Beneluksit, Angli, SHBA, Kinë). Rrjedhimisht, është më e mbrojtur se Xherdan Shaqiri dhe Valon Behrami nga kritikat për “tradhti të kombit”; pjesërisht nga mungesa e kombëtares shqiptare femërore në futboll, pjesërisht ngase futbolli apo sporti femëror nuk çon peshë të madhe në trevat tona. Për të gjithë përcjellësit e futbollit, ajo është njëra prej talenteve dhe lojtareve më të mirë të katërkëndëshit të blertë. Edhe Kosovarja luan në maje të sulmit dhe shënon pothuajse rregullisht, mu sikur Ibrahimovici. Edhe pse, në bazë të shtatlartësisë, teknikës dhe shpejtësisë, duket të jetë më e ngjashme fizikisht me Henrik Larssonin. Listës së të përbashkëtave të këtyre dy “magjistarëve” i është shtuar stinorin e kaluar edhe një tjetër fakt – që të dy i mbrojnë ngjyrat e Paris Saint-Germainit.

Kosovare Asllani, e cila të hënën do t’i mbush të 24-tat dhe njihet me nofkën “Kosse”, ka lindur në Kristianstad të Suedisë. Është rritur duke luajtur futboll dhe hokej, duke vendosur më pas që të përqendrohet në futboll. Debutimi në moshën 15-vjeçe për klubin e divizionit të dytë, Vimmerby IF (vendlindja e njërës prej shkrimtareve më të përkthyer të Suedisë, Astrid Lingren), përfundon me 49 gola të shënuar në 48 ndeshje në fund të stinorit. Pason kalimi në një skuadër elitare, atë Linköpings FC ku qëndron dy stinorë. Derisa stinori i parë kalon më tepër në stol dhe në inkuadrime të mëvonshme në lojë, ai i dyti është rrëfim suksesi, etablim si lojtare, depërtim në kombëtare dhe përfundim me titullin e parë të kampiones për skuadrën Linköpings FC (tok me kupën e fituar të Suedisë). Më 2008, Asllani debuton për kombëtaren e Suedisë në ndeshjen kundër Rumanisë dhe një vit më pas bëhet pjesë e kombëtare në kampionatin evropian. Në dhjetor 2009 kalon në Ligën profesionale amerikane të futbollit, në skuadrën Chicago Red Stars, në të cilën qëndron vetëm një stinor dhe vendos të kthehet prapë në Linköpings FC. Kthimi i saj i  jep krahë ekipit, por fundi i sezonit karakterizohet me dëmtimin e këmbës. Pas një viti të kaluar në ekipin e qytetit amë, Kristianstad DFF, në shtator të 2012-s Kosovarja nënshkruan kontratë dyvjeçare me Paris Saint-Germainin. Tanimë ish-drejtori teknik i klubit, Leonardo dhe bashkëkombësi Ibrahimovic e prezantojnë në konferencë të shtypit duke thënë: “Po qe se doni të fitoni, ju duhet një suedez/e”. Stinorin e kaluar, Asllani shënoi 17 gola për PSG-në, e cila e mbylli sezonin në vendin e dytë pas Lyonit.

 

Më e suksesshmja e familjes

 

Kosovarja pohon se është shtyrë goxha shumë me bërryla me vëllezërit më të rritur të saj për të dëshmuar se edhe ajo, si një vajzë, di të luajë me top. Jo me duar, sa për lojën “në mes dy zjarresh”, por me këmbë – lojën e futbollit. Thotë se nuk ka pasur një trajner apo prind që do t’ia shtonte vetëbesimin. “E kam ndier gjithmonë në vete shtytjen për të vrapuar pas topit. Motivimi ka qenë i vetëlindur. Energjia emocionale të cilën e investoj në futboll mund të jetë ndonjëherë problematike. Kur luaj mirë, jam mirë edhe jashtë fushe. Kur luaj keq, mund të zhytem edhe në depresion”, rrëfen Asllani për revistën suedeze, “Fokus”. Pranon më tutje se nuk i ka punët mirë me kuzhinën, ha spageti dhe ketçap. Sidomos pas shkuarjes në Paris, ankohet se është bezdisur nga krahasimet që i bëhen me Zlatan Ibrahimovicin sa herë që t’i zgjatet mikrofoni për të marrë një prononcim. Jeton në periferi të Parisit dhe mëson frëngjisht. Rrënjët e saj duket se nuk i harron, pasi që mban një tatuazh me shqiponjën e zezë dykrerëshe në kyçin e këmbës.

 

Forca motorike e sulmit të Suedisë

 

Kosovare Asllani ishte njëra prej forcave kryesore të Suedisë në kampionatin e sivjetmë evropian i cili të dielën do të përfundojë me finalen e madhe në të cilën ndeshen Gjermania dhe Norvegjia. Suedia ishte mikpritëse e kampionatit të 11-të me radhë që filloi me 10 korrik të sivjetmë dhe në të cilën morën pjesë 12 kombëtaret më të suksesshme evropiane. Suedia kishte triumfuar vetëm një herë në kampionate, në atë të parin, më 1984. Atëbotë, trajnerja e tanishme, Pia Sundhage, ishte lojtare. Edhe tri herë të tjera u ngjit në finale, por u mposht në të tria rastet. Kosovarja dhe koleget fushatën e sivjetme nuk e nisën fort mirë – barazuan me Danimarkën 1 me 1. Situata nuk do të tingëllonte kaq tragjike, po qe se portierja daneze të mos i ndalte gjuajtjet nga penalltia, së pari të kapitenes, lojtares dhe golashënueses më të mirë të ekipit Lotta Schelin, dhe më pas, edhe të Kosovares. Por, verdhë-e-kaltrat e kompensuan këtë bindshëm ndaj fqinjave lindore të Finlandës të cilat i mposhtën me rezultat të thellë, 5 me 0. Asllani shënoi njërën prej golave, (sërish për ngjashmëri!) në stilin alla-Ibrakadabra. Ritmi i lojës u shtua edhe më kundër italianeve që në duelin direkt për vendin e parë në grup u mposhtën 3 me 1. Kundërshtarja në çerekfinale dhe befasia e kampionatit, Islanda, ishte kafshatë e lehtë për nikoqiret. Me tri ekspres gola në pjesën e parë dhe me një të katërt për kurorë në të dytën, 4 me 0 ishte rezultati më se real shikuar edhe peshën e forcave në fushë.

 

Gjysmëfinalja e mrekullueshme

 

Eliminimi i papritur në çerekfinale nga Danimarka i Francës, e cila konsiderohej si njëra nga kandidatet më të fuqishme për titull, i shtoi më tepër apetitet e suedezeve për fron. Edhe pse kalkulimi në mos vendi i dytë në grup do ta shmangte ballafaqimin me Gjermaninë e favorizuar në gjysmëfinale tingëllon i logjikshëm dhe joetik, realiteti tanimë nuk mund të ndryshohej. Suedia ndodhej përballë Gjermanisë, dominueses absolute në futbollin evropian, fitueses së 5 kampionateve të fundit evropiane, gjithsej të 7 prej 10 kampionateve paraprake. Suedia e luajti lojën më të mirë në kampionat, ndeshja ishte e cilësisë së lartë dhe me temp marramendës. Edhe pse në fillim Gjermania kishte një epërsi të lehtë, pasuan rastet që suedezet i humbën pa u ardhur keq. Nga fundi i pjesës së parë, gjermanet shënuan golin e vetëm dhe të mjaftueshëm për finalen e gjashtë me radhë, por për ta mbrojtur këtë u detyruan të ngujoheshin në gjysmën e tyre të fushëlojës. Suedezet dhe Kosovarja dështuan disa herë në pjesën e dytë të shënonin, madje u dëmtuan rëndë nga referja e cila ua anuloi pa të drejtë një gol me arsyetimin e ndërhyrjes së palejuar. Përkundër asaj se gjermanet nuk dolën dot në 20 minutat e fundit nga 16-metërshi, Suedia u desh të pajtohej me fatin e hidhur të eliminimit përkundër lojës së mrekullueshme. Në gjysmëfinalen tjetër skandinave, norvegjezet që në minutën e tretë kaluan në epërsi përmes golit të mbrojtëses, Christensen. Tre minuta para përfundimit e kishin rezultatin që i shpinte në finale. Por, Knudsen e Danimarkës, ua prishi hesapin. As loja shtesë nuk solli bllokim të barazimit. Në fund, portierja e Norvegjisë, Hjelmseth, ndali dy penallti, derisa koleget e saj qenë të sigurta në ekzekutimin e penalltive të tyre.

 

Titulli nuk shkon më në jug të Gjermanisë

 

Në 10 kampionatet e mëparshme, gjermanet kanë triumfuar 7 herë, norvegjezet 2 herë dhe titulli i mbetur i takon Suedisë. Është hera e katërt që këto dy kombëtare ndeshen në finale, të gjitha të mëparshmet i ka fituar Gjermania. Edhe pse Kosovare Asllani nuk arriti të depërtojë në finale, ndeshja e fundit e kampionatit nuk do të kalojë pa një shqiptare. Më e njohura dhe e suksesshmja, Fatmire Bajramaj, është pjesë e Gjermanisë edhe në këtë kampionat. Edhe pse gjatë kualifikimit ishte e rregullt, dëmtimi i ligamenteve të gjurit ia pamundësoi paraqitjen në pjesën më të madhe të stinorit të kaluar.

Rrjedhimisht, edhe në kampionatin e sivjetmë, luajti vetëm 26 minuta kundër Islandës dhe asistoi në një gol. Finalja e madhe, Gjermani – Norvegji, luhet të dielën me fillim në orën 16, në stadiumin e qyteti Solna, me kapacitet 50 mijë ulësesh. Rumunja, Cristiana Dorcioman, është nderuar me referimin e finales e cila do ta përcaktojë nëse Gjermania për të tetën apo Norvegjia për të tretën herë do të bëhet kampionja e kontinentit të vjetër.


NAPOLI

Benitez do edhe Skrtelin

Premier League/Serie A/Transfere

Benitez do edhe Skrtelin

27/07/13 @ 11:25

RONALDINHO

Kritikë, ku jeni?

International

Kritikë, ku jeni?

27/07/13 @ 10:53

TALENTËT

Milan zgjedh 5-shen kosovare

FFK Superliga/Serie A

Milan zgjedh 5-shen kosovare

27/07/13 @ 10:34

PARA TESTEVE MJEKËSORE!

Moises Caicedo - rekord transfer i Britanisë!

Premier League/International/Transfere

Moises Caicedo - rekord transfer i Britanisë!

11/08/23 @ 11:54

PREJ SHKUPIT TE BALLKANI

Ballkani përforcohet me sulmues nga Algjeria

FFK Superliga/International/Transfere

Ballkani përforcohet me sulmues nga Algjeria

10/08/23 @ 14:13

PREZANTOHET NË KRYEQYTETIN RUMUN

Rrahmani zyrtarisht i Rapidit

FFK Superliga/International/Sportistë shqiptarë në botë/Transfere

Rrahmani zyrtarisht i Rapidit

07/08/23 @ 15:29

ALBION RRAHMANI DREJT RUMANISË

Prej “Lewandowskit” të Malishevës, përmes titullit, drejt Bukureshtit

Conference League/FFK Superliga/International/Sportistë shqiptarë në botë/Transfere

Prej “Lewandowskit” të Malishevës, përmes titullit, drejt Bukureshtit

06/08/23 @ 12:52

MEDIA TALK

Albion Rrahmani drejt Rumanisë!

FFK Superliga/International/Transfere

Albion Rrahmani drejt Rumanisë!

31/07/23 @ 12:24

MILAN E LIRON PËR PAK PARA

Ante Rebic arrin në Stamboll për tu bërë pjesë e Besiktasit

Serie A/International/Transfere

Ante Rebic arrin në Stamboll për tu bërë pjesë e Besiktasit

30/07/23 @ 19:59

GALATASARAY ZYRTARIZON BLERJEN E ICARDIT

Galata arrin marrëveshje me PSG, zyrtarizon Icardin

Ligue 1/International/Transfere

Galata arrin marrëveshje me PSG, zyrtarizon Icardin

30/07/23 @ 14:01

MLS

Sot, dygolësh dhe një asist nga Messi për Inter Miamin

International

Sot, dygolësh dhe një asist nga Messi për Inter Miamin

26/07/23 @ 08:53

FIDAN ALITI NË TURQI

Kontratë afatgjate për Fidan Alitin te Alanyaspor

Kosova/International/Sportistë shqiptarë në botë/Transfere

Kontratë afatgjate për Fidan Alitin te Alanyaspor

25/07/23 @ 11:58

PRIZREN

Tjiueza e Megameno vazhdojnë, por Liria zyrtarizon edhe dy lojtarë afrikanë

FFK Superliga/International/Transfere

Tjiueza e Megameno vazhdojnë, por Liria zyrtarizon edhe dy lojtarë afrikanë

22/07/23 @ 19:15


 
Të gjitha lajmet nga International