TURQI

ntvspor
Sulmon tifozi, ndëshkohen lojtarët
15 December, 2013 @22:11
Për ndeshjen e Superligës turke ndërmjet skuadrave Kasimpasa dhe Besiktas mund të fliten shumë gjëra, por më së paku futbolli.
Në minutën 80, kur rezultati ishte 2-1 në të mirë të skuadrës vendase Kasimpasa, një tifoz hyri në fushë me vrap për ta shqelmuar futbollistin e ekipit mysafir, Manuel Fernandez.
Pas sulmit të tifozit menjëherë reaguan futbollistët e Kasimpasas, të cilët u munduan ta ndalojnë tifozin, duke e shtrirë atë në tokë, derisa futbollistët e Besiktasit u munduan t’ia kthejnë në të njëjtën mënyrë duke tentuar ta shqelmojnë atë.
E gjithë kjo, përfundoi kur forcat e sigurisë hyrën në fushë për ta larguar tifozin nga terreni i lojës, ndërsa në fund i heshtur nuk mbeti as gjyqtari i ndeshjes, Baris Simsek, i cili e ndëshkoi me karton të kuq brazilianin e Besiktasit, Ramon Motta, për shkak të sulmit ndaj tifozit, e më pas me kartonin e dytë të verdhë portugezin, Hugo Almeida, për shkak të reagimit ndaj vendimit të gjyqtarit, duke e lënë kështu skuadrën mysafire me dy lojtarë më pak.
Pasi rifilloi ndeshja, rezultati mbeti i pandryshuar dhe në fund Kasimpasa fitoi me rezultat 2-1, kurse pas ndeshjes skuadra e Besiktasit ka reaguar duke kërkuar përsëritjen e ndeshjes.