EDHE NJË TRANSFERIM NGA '89-shi

Sulmuesi i ‘89-shit, zyrtarisht te CSKA Sofia
12 February, 2021 @23:04
Sulmuesi i ri nga Gana, që ka shënuar gjashtë gola dhe dy asistime në stinorin vjeshtor të Superligës me Trepçën’89, Charles Bismarck Sie është edhe zyrtarisht lojtar i ri i CSKA Sofias.
Sie 19-vjeçar u zyrtarizua orë më parë te kampioni i shumëfishtë i Bullgarisë, ndërsa edhe Trepça’89 ka falenderuar ganezin për kontributin e dhënë.
Asnjëra nga skuadrat s’kanë publikuar shumën e transferit, derisa Transfermarkt shkruan se vlera e kalimit të lojtarit nga ekipi mitrovicas te ai i Sofjes është 150 mijë euro.
“Bismarck Sie ishte pjesë e jona për gjashtë muaj dhe shpejt mori vëmendjen e shumë klubeve të mëdha, ndërsa ne arritëm gjuhë të përbashkët me klubin CSKA Sofia,” ka bërë të ditur njoftimi i Trepçës’89.
Kujtojmë, ‘89-shi ka arritur të shesë tri lojtarë në liga të mesme për kah rëndësia këtë sezon, duke nisur me Arb Manajn në Ankara Keçiörengucu, pastaj Milot Avdylin në Aarau si dhe tash Charles Bismarck Sien në CSKA të Sofjes. Gjithashtu skuadra ka transferuar edhe të talentuarin Arlind Shabani në Strugë të Maqedonisë së Veriut si dhe Lassine Traoren në Osterlen të Suedisë.