SAFET SUSIC PËR MEDIA
Susic: Askush nuk më ka kontaktuar lidhur me Kosovën
3 July, 2017 @10:39
Trajneri nga Bosnja e Hercegovina, Safet Susic (lex. Sushiq), që ditë më parë u përfol në media si dëshirë e FFK-së për të marrë vendin e Albert Bunjakit në krye të reprezentacionit të Kosovës, ka thënë për mediat boshnjake se nuk është kontaktuar nga askush dhe nuk e ka ndërmend të merr një reprezentacion pa ambicie.
“Nuk jam afër Kosovës. Nuk ka pasur bllokada në bisedime, pasi që bisedime nuk ka pasur fare. Bile, askush nuk më ka thirrë nga Prishtina të më pyes nëse jam i interesuar për këtë punë,” ka thënë Susic, shkruan reprezentacija.ba.
Susic, që njihet me nofkën Pape, aktualisht është trajner i Alanyasporit në Superligën turke.
“Nuk dua të flas hipotetikisht, por nuk do ta merrja një detyrë, në cilindo reprezentacion në botë, që nuk ka ambicie të qarta garuese dhe dëshirë për tu kualifikuar në Kampionat Europian apo Botëror,” ka shtuar Susic, kur u pyet se a do ta linte ekipin me të cilin ka edhe dy vjet kontratë për një reprezentacion.