ANALIZAT VERORE
Vera te Juventusi
Shkruan: LUAN MORINA
2 July, 2017 @15:55
Çka do të ndryshonit në një ekip që dominon ligën kombëtare dhe arrin dy herë në tri vite në finalen e Ligës së Kampionëve? Asgjë?
Juventus është i kompletuar. Dhe vazhdon të mbledh ajkën jo vetëm nga Serie A. Arrin të shet shumëfish më shtrenjtë lojtarët tek anglezët duke ruajtur edhe balancën financiare, e edhe superioritetin sportiv në krahasim me ekipet tjera italiane. Dhe kjo do të vazhdoj edhe për së paku dy-tri vite.
Porta
Buffon po plaket. Duhet të jetë viti i fundit i tij. Donnarumma është përzgjedhja më e mirë që mund të marrin. Vjen vitin e ardhshëm si lojtar i lirë. Neto është i mirë si zëvendësues. Por, ka edhe shumë opsione tjera, portierë të talentuar anembanë Serie A.
Mbrojtja
Më e mira në Evropë. Vetëm Reali do të mund ta sfidonte. Bonucci, Chiellini, Barzagli. Treshja klasike e cila tani po zëvendësohet me Benatian, Ruganin, e nga viti i ardhshëm edhe Caldaran. Alex Sandro mund të largohet, ngjashëm edhe Dani Alves. Me Darmian e De Sciglio do të kishin dy krahë jo të dobët. S’do të mjaftonin, por do të ishin pikënisje e mirë.
Mesfusha
Mesfusha është e shkëlqyeshme. Pjanic, Khedira e Marchisio janë prej më të mirëve në treg. Lemina e Mandragora kanë të ardhmen para. Ka hapësirë për të marrë lojtarë tjerë, por nuk është prioritet.
Sulmi
Allegri ka diçka nga Ancelotti në vete. Jo, s’janë titujt e Ligës së Kampionëve. Është hezitimi për të angazhuar të rinjtë. Dybala është dashur të pret një vit për të gjetur veten tek Juventus. Ngjashëm ka ngjarë edhe me Pjacan. Dyshoj që kroati mund të jetë aq i mirë sa Dybala, por ka pasur fatin e njëjtë. Douglas Costa mund ti bashkohet Cuadrados si krahë sulmi në rast nevoje. Në fakt do të ishin më shumë si krahë mbrojtje në 5-3-2 apo edhe 3-5-2.
Higuain e Manduzkic janë të përkryer për sulm.
Juventusi është mirë siç është. Së paku për Itali. Për Evropë nevojitet edhe diçka shtesë. Diçka që nuk mund të blihet! Fati? Trajneri?