FERRONIKELI
Suspendimi i Shabanit, ulet nga FFK
12 March, 2015 @9:31
Pas ankesës së Ferronikelit lidhur me suspendimin e futbollistit të tyre, Xhevdet Shabani, Komisioni për Ankesa pranë FFK-së, ka ulur dënimin e lojtarit në 2 ndeshje moslojë, nga 3 sa ishte dhënë nga Komisioni Disciplinor.
“Ndryshohet pjesërisht vendimi i Komisionit Discpilinor të shkallës së parë i datës 4 mars dhe lojtarit Xhevdet Shabani. Futbollistit me librezë nr. 30588 i zbritet dënimi nga 3 në 2 ndeshje zyrtare sipas radhës (moslojë) të organizuara nga FFK,” ka shkruar vendimi i Komisionit për Ankesa në FFK, nënshkruar nga kryetari i saj Afrim Prekazi, që mbajti mbledhjen me anëtarët e këtij komisioni Agim Bahtiri e Sitki Baftiu.
Si arsyetim të këtij vendimi, Komisioni për Ankesa është bazuar në prova shtesë të ofruara nga pala e dëmtuar dhe ka gjetur fakte lehtësuese për ndryshimin e pjesshëm të vendimit.
Me këtë, Shabani do të mungojë vetëm edhe në ndeshjen e radhës (ndaj Vëllaznimit) së Superligës, pasi që Ferronikeli dje zhvilloi një ndeshje të Kupës, ku eliminoi Kosovën.