DUKAGJINI TRIUMFON NDAJ PRISHTINËS
Syla vendos ndeshjen, Dukagjini mposht Prishtinën
12 May, 2024 @22:27
Dueli i mesit të tabelës, i parëndësishëm për objektiva, por një duel me raste të mira dhe e kontrolluar kryesisht nga Altin Mërlaku, që krijonte dhe tentonte për vendasit, ka bërë që ai të shfaq edhe mundësinë që u tregua vendimtare në ndeshje.
Mërlaku hapi lojën para zonës së rrezikshme, e më pas krosimi në zonë bëri që Redon Syla t’ia sjellë fitoren e dytë me radhë Dukagjinit, që tashmë duket shumë i koordinuar në lojën e treguar në fushë, Dukagjini - Prishtina 1-0 [Redon Syla 58’].
Prishtina me raste dominoi pjesën e parë, por Hasan Hyseni e Genc Hamiti nuk kalonin dot Kenan Haxhihamzën. Mërlaku në anën tjetër, tentoi dy herë, njëherë me depërtim dhe goditje të bukur, ndërsa në tjetrën me kokë, ka qenë reagimi refleksiv i Ardit Nikës që shpëtoi Prishtinën në pjesë të parë për 0-0.
E pas golit të shënuar të epërsisë për Dukagjinin, përkundër tentimeve, Prishtina nuk ka arritur të bëj ndërrim në rezultat, edhe pse kishte së paku dy raste të mira në zonë, por asnjëherë saktë në portën e Dukagjinit.
Me këtë fitore, Dukagjini i Armend Dallkut arrin të dhjetën sezonale ndërsa është i gjashti në renditje me 45 pikë nga 34 ndeshje, një më pak sesa Prishtina që është e pesta.