LLAPI - MALISHEVA
Vendos supergoli i Ahmed Januzit, Llapi ende shpreson!
12 May, 2024 @17:12
Fitore minimale për Llapin ndaj Malishevës sot, fitore e cila e mban gjallë shpresën e Llapit për titullin kampion, ndonëse favorit mbetet Ballkani i Suharekës.
Sot Llapi fitoi 1-0 (Ahmed Januzi 37’), mjaftueshëm për të qenë akoma në garë, sidomos kur xhiron e ardhshme luan në shtëpi direkt ndaj Ballkanit.
Llapi dominoi gjatë pjesës së parë dhe krijoi plot raste për shënim, e Malisheva në anën tjetër nuk tregoi pothuajse asgjë në këtë pjesë, ndonëse u përmirësua dukshëm më pas në të dytën.
Gjithsesi, llapjanët golin në këtë pjesë e gjetën vetëm një herë, kur Ahmed Januzi shënoi një supergol nga distanca në minutën e 37’.
Rreth fundit të pjesës së parë, Malisheva humbi portierin Hadis Velii, i cili u detyrua të largohet nga loja për shkak të lëndimit. Në vend të tij hyri i riu Enes Morina, portieri i tretë i skuadrës, pasi që siç dihet, edhe portieri i parë, Flamur Gashi, mbetet akoma i lënduar.
Në pjesën e dytë, Muhamet Hyseni i Llapit pati një gol të anuluar nga VAR-i në minutën e 60’, e më tej gjatë ndeshjes disa herë porta e Llapit u shpëtua nga Ilir Avdyli, portieri llapjan, sot në super formë.
Kështu, Llapi është 4 pikë larg Ballkanit me dy ndeshje të mbetura, kurse Malisheva shpreson për dalje në Evropë nga vendi i katërt, e kjo do të ndodhë nëse Ballkani e mposhtë Prishtinën në finale të Kupës.