DEKLARATA E TRAJNERIT TË SHQIPËRISË, PAS HUMBJES NGA KILI
Sylvinho: Ata që nuk vrapojnë, nuk vijnë në evropian!
23 March, 2024 @0:48
I zhgënjyer si me paraqitjen ashtu edhe me rezultatin ka qenë Sylvinho pas ndeshjes që Shqipëria e humbi nga Kili me rezultat 0-3. Mbrëmja e së enjtes në “Ennio Tardini” duhet harruar, ndërsa kuqezinjtë që nuk vrapojnë secilën minutë, nuk do të jenë në evropian - ky ka qenë mesazhi kryesor i teknikut brazilian të Shqipërisë.
Ai ka qenë veçanërisht i pakënaqur me 25 minutat e para të lojës, derisa u pësua goli. Këndellja e mëpastajme është e vonshme sipas tij, duke ditur cilësitë e kilianëve që kanë lojtarë që kanë përvojë nga Kampionatet Botërore, si Alexis Sanchez, Maurizio Isla, Claudio Bravo, etj.
“Nuk kemi bërë asgjë mirë në 25 minutat e para të ndeshjes. Mungoi intensiteti, nuk më pëlqeu. Jemi skuadër që duhet të luftojmë 90 minuta, nëse mungojnë 25 minuta është shumë... Pas golit hymë në lojë. Gjithashtu jam nervozuar me golat e vonshëm, skuadra duhet të jetë gjithmonë në lojë. Ky është nivel i lartë që shkojmë të luajmë dhe duhet ta kuptojmë shumë shpejt këtë fakt,” ka thënë ai.
“Lojtarët që nuk vrapojnë, nuk vijnë me ne. Jemi një shprit dhe luajmë të gjithë me zemër, për këtë kemi arritur këtu ku jemi. Nuk ka titullar të vulosur, kombëtarja është e hapur për të gjithë,” ka shtuar braziliani.
Shqipëria në miqësoren e parë, ndeshjen e parë të vitit 2024, pësoi nga Kili 0-3. Pas tre ditësh kuqezinjtë do të jenë mysafirë të Suedisë në Stokholm. Sylvinho ka shtuar se pas këtyre ndeshjeve dhe pas rikthimit në Tiranë, do të punohet për listën përfundimtare.