DEKLARATA E PËRZGJEDHËSIT TË SHQIPËRISË
Sylvinho: I morëm përgjigjet nga lojtarët
3 June, 2024 @23:22
Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, në deklaratën e tij dhënë pas miqësores së parë të qershorit ndaj Lihtenshtajnit ka thënë se ka marrë atë që ka kërkuar nga lojtarët e tij.
Braziliani gjithashtu ka dhënë përgjigje për mungesat dhe për arsyet e aktivizimit të lojtarëve të përzgjedhur për këtë ndeshje, ndërsa në përgjithësi ka shprehur kënaqësinë me atë që ka parë në fushë.
“Po, i morëm përgjigjet. Lojtarët po punojnë pak nga pak. Sonte kanë kryer mirë punën. Nuk ka lidhje me cilësinë e kundërshtarit, janë gjëra të ndryshme rivali i sotëm dhe atë që deshëm të shohim,” ka thënë fillimisht 50 vjeçari.
Broja e Asani? “Të gjithë janë të përgatitur dhe të gatshëm. Sot i kemi dhënë prioritet atyre që nuk kanë luajtur në javët e fundit, muajin e fundit, pas 3-4 ditësh stërvitje ka qenë momenti që ata të luanin. Ajeti për shembull ka 2-3 muaj që nuk luan një ndeshje të plotë, sot luajti 60 minuta.”
Gjasula-Asllani apo Ramadani-Seferi? “T’jua shpjegoj. Praktikisht kemi ardhur me dy grupe të ndryshme. Abrashi ka luajtur 2 ditë më parë, Gjimshiti erdhi sot, Seferi ka pasur udhëtim të gjatë. Ramadani ka pasur telashe me shëndet 1 muaj më parë, janë lojtarë që kanë shumë ndeshje këtë stinor, për këtë ishin jashtë. Ata që luajtën pak, i futëm në lojë. Për fat të keq kemi vetëm 6 zëvendësime si opsion, dëshironim edhe 2-3 tjerë t’i provonim, por këto janë rregullat e UEFA-së, nuk bën më shumë se 6 zëvendësime,” ka mbyllur Sylvinho deklaratën pas ndeshjes.
Shqipëria ka dominuar pritshëm ndeshjen ndaj Lihtenshtajnit, ndërsa me golat e Armando Brojës, Jasir Asanit dhe Ernest Muçit, fitoi duelin 3-0. Më 7 qershor kuqezinjtë në të njëjtin stadium ku luajtën sonte, presin edhe Azerbajxhanin, para se të udhëtojnë në kampin gjerman, për të nisur EUROn.